Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ministrin e Çështjeve Fetare të Arabisë Saudite, Abdullatif Al-Sheikh.
Kurti e falënderoi ministrin Abdullah Al Sheikh për vizitën dhe për ndihmën e Arabisë Saudite për Kosovën.
Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit thuhet se ai e vlerësoi sidomos angazhimin dhe përkrahjen me votë në të gjitha organizatat ndërkombëtare ku Kosova ka synuar anëtarësimin.
Duke folur për sukseset dhe progresin e Qeverisë, Kurti tha se stabiliteti institucional, menaxhimi i mirë i pandemisë COVID-19 dhe rritja ekonomike ka ndikuar në rritjen e besimit në institucione dhe të optimizmit për të ardhmen.
Ai shprehu gatishmërinë për vazhdimin e marrëdhënieve të mira mes dy shteteve dhe theksoi nevojën për investime. Si fusha ku Arabia Saudite do të mund të investonte përmendi bankat dhe financat, shëndetësinë, turizmin dhe tregtinë.
Si shtet me ndikim, kryeministri tha se do të mirëpriste lobimin e Arabisë Saudite për njohjen e Kosovës nga disa vende me shumicë myslimane.
Abdullah Al Sheikh e falënderoi Kurtin për mikpritjen dhe u shpreh i gëzuar për stabilitetin politik, të arriturat dhe paqen e prosperitetin që ka vërejtur në Kosovë.
Ai tha se Kosova dhe populli i saj gëzon përkrahje dhe simpati të madhe nga shteti dhe populli saudit. Mbështetja dhe bashkëpunimi nuk do të mungojë as në të ardhmen, tha ministri Abdullah Al Sheikh.
Duke folur për ekstremizmin fetar, ministri për Çështje fetare i Arabisë Saudite tha se keqpërdorimi i fesë për luftëra politike e klasore nga grupet terroriste i ka shkaktuar shumë vuajtje vendit të tij dhe shumë shteteve në botë
Ai theksoi domosdoshmërinë e çrrënjosjes së ekstremizmit fetar dhe promovimin e islamit të moderuar që ka në thelb harmoninë dhe mirëkuptimin mes njerëzve. Ministri saudit u shpreh i gëzuar që në Kosovë mbretëron paqja dhe toleranca fetare.