Kurti: Në Kosovë janë 10 organizata ekstremiste serbe

Kurti: Në Kosovë janë 10 organizata ekstremiste serbe

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në Kosovë janë 10 organizata ekstremiste serbe, të cilat siç ka thënë propagandojnë urrejtje nacionale dhe fetare.

Kurti ka thënë se këto organizata kanë njërën këmbë në Beograd e tjetrën në Moskë.

“Informatat thonë që janë 10 organizata ekstremiste serbe në Kosovë të cilët janë të ekstremit të djathtë dhe të cilët propagandojnë urrejtje jo vetëm nacionale por edhe fetare dhe që kanë frymë mesjetare të ortodoksisë mistike, dhe që e kanë një këmbë në Beograd dhe një në Moskë. Janë organizata të cilat unë besoj që përveç se kanë lidhje me pushtetin në Beograd mund të kenë lidhje edhe me qendrën humanitare ruse në Nish”, ka thënë Kurti teksa ka folur për mundësinë e destabilizimit të Kosovës nga Rusia.

Kurti ka thënë po ashtu se Kosova i ka shpeshtuar mbledhjet e Këshillit të Sigurisë këto ditë.

“Ne i kemi shpeshtuar mbledhjet e Këshillit të Sigurisë ku i bëjmë përgatitjet më të reja edhe sa i përket pajisjeve por gjithashtu edhe sa i përket vëzhgimeve e aktiviteteve. Një mbledhje të tillë do ta kemi edhe nesër. Ne në prapavijë të sferës politike e publike, intensivisht jemi duke u përgatitur që të mos ketë kurrfarë befasie dhe të gjitha institucionet dhe organet e shtetit të jenë të sinkronizuara”, është shprehur Kurti në KTV.

Sipas tij, pas pushtimi të Ukrainës, faktori ndërkombëtar dhe popujt e Ballkanit nuk do të lejojnë përsëritjen e Ukrainës në Ballkan.

Related Articles