Kurti pas Forumit të Prespës: Serbia duhet ta njohë sa më parë Kosovën

Kurti pas Forumit të Prespës: Serbia duhet ta njohë sa më parë Kosovën

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Ballkani Perëndimor ka nevojë për demokratizim, sundim të ligjit dhe për ballafaqim me të kaluarën.

Sipas tij, frustrimi që ekziston në Shqipëri dhe Maqedoni e Veriut nuk do të duhej të instrumentalizohet nga Serbia. Sa i përket dialogut, pas Forumit të Prespës, ka deklaruar se sa më parë Serbia duhet të njohë Kosovën. Më tej, ai ka theksuar se nuk duhet që iniciativa e Novi-Sadit t’i shtohet procesit të Berlinit.

Pas takimit mes kryeministrave, Albin Kurti ka deklaruar para mediave se Serbia ka nevojë të ballafaqohet me të kaluarën, meqë e njëjta ka shkaktuar katër luftëra.

Ai është pyetur edhe për takimin përmbyllës të Berlinit, ku ka potencuar se iniciativa e Novi-Sadit nuk mund t’i shtohet këtij procesi.

“Me datën 5 korrik, pra të hënën, do të mbahet një takim përmbyllës i Berlinit nën udhëheqjen e kancelares gjermane, Angela Merkel dhe më pas duket që procesi i Berlinit do të jetë i udhëhequr nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Në këtë takim përmbyllës të Berlinit, janë paraparë katër marrëveshje të cilat po negociohen edhe këto ditë. Andaj, unë do të isha rezervuar për rezultatin përfundimtar. Mendoj që nga Samiti i Sofias është definuar çështja e tregut të përbashkët të Ballkanit Perëndimor dhe ajo quhet tregu i përbashkët rajonal dhe nuk mendoj që minishengeni, apo iniciativa e Novi-Sadit mund t’i bëjë paritet ta komplementojë apo t’i shtohet procesit të Berlinit”, shtoi ai.

Ai ka komentuar edhe deklaratën e kryeministres, Ana Bërnabiq, e cila tha se Kurti është gjeneratë e re e politikanëve.

“Po edhe ajo është gjeneratë e re e politikanëve, por uroj që Serbia sa më parë edhe me ndihmën e kryeministres së Serbisë të distancohet nga regjimi i Millosheviqit, i cili i shkaktoi katër luftëra. Sot e asaj dite kemi shumë plagë të hapura prej tyre, përfshirë këtu çështjen e të pagjeturve, por jo vetë,”, u shpreh ai.

Në konferencën pas këtij takimi, Albin Kurti ka deklaruar se projeksionet e Kosovës janë për rritje ekonomike brenda vitit për 7,9 për qind dhe se eksportet janë rritur për mbi 60 për qind krahasuar me pesë muajt e vitit të kaluar.

Related Articles