Kreu i ekzekutivit, Albin Kurti në fjalën e tij në manifestimin qendror që po mbahet për të shënuar 25-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit tha se “Nuk gjunjëzohet kulla, nuk mposhtet UÇK-ja, nuk dorëzohet Kosova”, ishte mesazhi që Serbia morri nga Himë Haradinaj.
Krahas kësaj, ai e ka cilësuar familjen e Haradinajt si pjesë e pandashme e ushtrisë së vendit.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ushtria e Republikës së Kosovës mbetet pjesë e familjes Haradinaj.
Pas homazheve në Gllogjan, kreu i ekzekutivit ka thënë pjesë e ushtrisë është edhe një toger nga radhët e familjes së dëshmorëve.
“Familja Haradinaj ia di mirë vlerën lirisë dhe ushtrisë. Është familje e dëshmorëve të kombit, me gjeneral nga lufta, ushtria është pjesë e pandashme e kësaj familje. Sot, me ushtrinë tonë e kemi Luanin. Toger Luan Haradinaj i cili me zell e përkushtim i shërben atdheut me uniformën e FSK-së”, ka deklaruar ai.
Sipas Kurtit, Serbia fashiste kishte marrur një mesazh nga kulla e Himë Haradinaj e që ishte “Nuk gjunjëzohet kulla, nuk mposhtet UÇK-ja, nuk dorëzohet Kosova”.
Ndër të tjera, Kurti ka ritheksuar se fokusi kryesor i qeverisë së tij mbetej avancimi në ushtrinë e vendit.
“Fokusi ynë kryesor ka qenë dhe është investimi në ushtri, në mbrojtjen fisnike të vendit tonë. Duke kujtuar UÇK-në, duke zhvilluar FSK-në mbrojmë Republikën e Kosovës, përparojmë kombin, i kontribojmë Evropës”, ka deklaruar ai gjersa ka theksuar se ushtria po konsilodohet gjithmonë e më shumë në aspektin operacional e atë profesional.
Duke përshëndetur të pranishmit, Kurti iu drejtua edhe kreut të AAK-së, Ramush Haradinajt, gjë për të cilën u duartrokit fortë nga publiku.