Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë lavdëroi Institutin për Krimet e Kryera gjatë Luftës, për faktet e mbledhura, që sipas tij “dëshmojnë krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë”.
Teksa njoftoi për punën një vjeçare të institutit, shefi i Qeverisë, theksoi se “nëse do të renditeshin materialet si folderë që rrinë në këmbë, do të bëhej një seri e gjatë 189 metra”.
Me këtë rast, Kurti falënderoi qytetarët, Komunat, Ministritë, gazetarët e koleksionistët e ndryshëm që ndanë dëshmitë e tyre.
“Për ta dëshmuar punën e madhe dhe tejet të rëndësishme që mund të bëhet brenda një viti me institucionet që kemi themeluar ne mund të marrin si shembull Institutin për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë. Ky Institut u themeluar për të ruajtur dhe dokumentuar të vërtetën e vuajtjeve dhe sakrificës së popullit të Kosovës. Këtë javë Instituti paraqiti raportin njëvjetor të punës. Nëse do t’i rendisim materialet e grumbulluara si foldera që qëndrojnë në këmbë do të bëhej një seri e tyre e gjatë 189 metra apo thënë ndryshe 15.8 terabajt. E gjithë kjo falë përkushtimit të të gjithë atyre që kanë kontribuuar, qytetarëve, organizatave, Institucioneve, Komunave, Ministrive, gazetarëve, aktivisteve të të drejtave të njeriut dhe koleksionistëve të ndryshëm. Faleminderit secilit për dëshmitë që keni ndarë”, u shpreh kryministri. / Gazeta Enigma.