Kurti: Problemi ynë më i madh është Serbia

Kurti: Problemi ynë më i madh është Serbia

“Serbia në Ballkanin Perëndimor po sillet si Rusia me fqinjët e saj: entitetin boshnjak-hercegovinas Republika Srpska po përpiqet ta shndërrojë në Bjellorusi dhe Malin e Zi në Ukrainë. Në thelb, Serbia nuk e njeh shtetësinë e vendeve jashtë BE-së – Bosnjë dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Kosovën, madje edhe Maqedoninë e Veriut. Përkundrazi: ajo këto shtete i konsideron si të përkohshme dhe angazhohet me të gjitha kapacitetet e saj për të shkatërruar shtetësinë e tyre”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë këto komente për gazetën malazeze “Pobjeda”, duke shtuar se ndaj vendeve të dala nga shpërbërja e Jugosllavisë së madhe, Serbia sot po sillet në mënyrë paternaliste dhe hegjemoniste, tamam si një “Rusi e vogël”.

“Për shkak të ‘mosmarrëveshjeve’ tradicionale mes shteteve të dala nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë, të cilat janë përshkallëzuar muajt e fundit, në qarqet politike dhe mediale perëndimore, rajoni ynë trajtohet sërish sikurse në vitet 1990 – si një fuçi baruti”, ka deklaruar Kurti.

“Shkaku i të gjitha konflikteve, ashtu sikurse në vitet e nëntëdhjeta, është Serbia, d.m.th. politika e saj e ndërhyrjes pak a shumë të hapur në punët e brendshme të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

“Dëshmi për këtë janë edhe tensionet e fundit në kufirin Serbi-Kosovë, pas të cilave forcat e Kosovës u detyruan të reagojnë.

Dy muaj pas incidentit, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, pohon se pavarësisht trazirave në kufi, marrëdhëniet mes dy vendeve kanë mbetur të pandryshuara.

“Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë janë të njëjta: nuk janë as më të mira e as më të këqija“, shpjegon kryeministri Kurti.

“Kemi të bëjmë me një shtet që nuk e njeh Kosovën, i cili është autokratik dhe me prirje nga Moska. Nga ana tjetër, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, ka integritetin e vet territorial, por edhe shumë probleme”.

“Problemi ynë më i madh është Serbia”, ka thënë Kurti, specifikisht kur është pyetur për problemin më të madh që ka Kosova, “e cila as nuk mund ta marr me mend dhe as ta pranojë Kosovën si shtet fqinj të barabartë”.

Paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor arrihet, pas stabilizimit të marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për paqe dhe stabilitet afatgjatë dhe për t’i arritur ato, ne kemi nevojë për demokraci, drejtësi dhe zhvillim, të cilat janë edhe baza e vlerave evropiane. Fatkeqësisht, situata aktuale në Ballkanin Perëndimor duket si një kopje në miniaturë e Federatës Ruse”.

Dy shkaqe të tensioneve në rritje të cilat po prodhohen nga Serbia, sipas kryeministrit Kurti janë mungesa e demokracisë dhe dështimi për t’u përballur me të shkuarën.

“Serbia po i eksporton këto dy defekte të brendshme në rajon, duke e destabilizuar atë. Në këtë kuptim, Serbia po e kupton dialogun mes dy vendeve tona si dialog për statusin e Kosovës, për çështjet e brendshme të Kosovës, dhe jo atë që ai realisht është: dialog për statusin e marrëdhënieve tona dhe normalizimin e tyre. Për ta pranuar këtë, Serbia duhet të ndryshojë shumë: duhet të demokratizohet, të vendosë shtetin e së drejtës, të përballet me të kaluarën… Së fundi, duhet të krijojmë një lloj simetrie të reciprocitetit të të drejtave të pakicave”.

Ndërkaq muajt e fundit, arsyeja specifike e tensionit ndërmjet dy vendeve, ishin targat.

“Marrëveshja e Brukselit për targa të regjistrimit ka skaduar më 15 shtator 2021, kështu që në përputhje me detyrimet dhe të drejtat e qytetarëve vendosëm për reciprocitet. Ka më shumë se dhjetë vite që qytetarët tanë shkojnë në Serbi, por gjatë hyrjes ata janë të detyruar të paguajnë pesë euro dhe të vendosin targa të përkohshme serbe”.

“Ky parim nuk vlente për automjetet nga Serbia që hynin në Kosovë. Si shtet kemi vendosur të vendosim masën e reciprocitetit, pas së cilës pjesëtarët e strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë kanë bllokuar rrugët. Qeveria ishte e detyruar të dërgojë një njësi speciale për të mbrojtur policinë tonë kufitare, pasi bllokada serbe ishte e pazakontë – barrikada dhe buldozerë. Në ndërkohë është djegur qendra e regjistrimit të automjeteve në Zubin Potok – për fat të mirë nuk ka shpërthyer një granatë dore – dhe është e qartë se bëhet fjalë për një sulm të organizuar ndaj institucioneve të vendit tonë”, ka deklaruar Kurti.

Personat që organizuan barrikadat dhe bllokadat në dy pikat kufitare në veri të Kosovës, sipas Kurtit janë persona me të kaluar penale.

“Të dhënat nga institucionet tona të sigurisë tregojnë se bëhet fjalë për persona me precedentë penalë. Disa prej tyre morën pjesë edhe në tentativën për grushtshtet në Mal të Zi, në vitin 2016”.

“Tashmë e përmenda që Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por nuk mund të kërkojë nga ne që të mos e njohim veten. Ne duam të largojmë barrierat, por përderisa Serbia insiston në barriera, ne ligjërisht do t’i përgjigjemi kësaj”.

Deklaratwn e Presidentit serb, Aleksandwr Vuçiç se, “ne duam t’u lëmë kohë shtesë disave në Prishtinë për të ndryshuar vendimet e tyre të këqija. Nëse ata nuk duan, ne do të marrim masa me qëllim të mbrojtjes së interesave të Serbisë”, kryeministri Kurti tha se e ka kuptuar si sulm.

“Sa herë që Serbia thotë se po mbrohet, ta dini se ajo po sulmon. Ne kemi qenë të bindur për këtë për të paktën tre dekadat e fundit”.

“Këtë e pamë edhe në rastin e aplikimit të reciprocitetit të targave dhe situatën e krijuar në vendkalimet kufitare Bërnjak dhe Jarinje. Fatkeqësisht, Serbia reagoi ashpër edhe atëherë, duke mbledhur trupa në kufi, duke përfshirë tanke T-72, autoblinda “Lazar” 3 dhe mjete luftarake multi-funksionale BOV M16 MILOŠ; në të njëjtën kohë, angazhoi avionë luftarakë rus MIG29, si dhe helikopterë të prodhimit rus për fluturime ndërkufitare”.

“Serbia shpenzon shumë më tepër për ushtrinë sesa pesë vendet e Ballkanit Perëndimor së bashku. Përkundër kësaj, ajo ka marrë ndihmë dhe donacione nga BE-ja, pa detyrimin për të zbatuar vlerat evropiane. Serbia në vend që të demokratizohet, ajo është militarizuar nga Rusia dhe Kina”.

Kurti u pyet edhe për funksionin e zyrës ndërlidhëse të Federatës Ruse në Kosovë e cila funksionon për rreth 16 vite brenda territorit të Kosovës, nga e cila së fundi dy diplomatë të sajë u shpallën persona të pa dëshiruar për shtetin.

“Dy zyrtarë rusë në Kosovë i shpallëm persona non grata për shkak të aktiviteteve të tyre të dëmshme me të cilat cenonin sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Institucionet tona nuk do të hezitojnë të veprojnë sa herë që cenohet siguria dhe rendi kushtetues në vend. Në raport me të gjitha shtetet ballkanike, Kosova është kundërshtarja më e madhe e politikës dhe ndikimit të Federatës Ruse. Në këtë drejtim, institucionet shtetërore të Kosovës punojnë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me BE-në, NATO-n dhe SHBA-të”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti saktësisht shprehu vendosmërinë e Kosovës në kundërshtim të ndikimit të Rusisë.

“Është e qartë se Rusia vazhdimisht po përpiqet të dobësojë BE-në, deri në pikën e shpërbërjes së saj. Ashtu siç Serbia është nostalgjike për Jugosllavinë, e cila ishte e dominuar dhe në të cilën Slobodan Milosheviçi komandonte ushtrinë jugosllave në vitet 1990, edhe presidenti i Rusisë është nostalgjik për kohën e BRSS-së, kur forcat sovjetike sundonin vendet e Evropës Lindore”.

“Kjo nostalgji për pushtet është një ngjashmëri shtesë midis Rusisë dhe Serbisë, e cila rrit rrezikun për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, besoj se përpjekjet tuaja do të dështojnë. Ne i njohim mirë edhe aleancat dhe partneritetet tona me Perëndimin janë të palëkundura”.

Ndërsa, sa i përket asociacionit të komunave me shumicë serbe, në Kosovë, Kurti tha se duhet rikujtuar që kjo qeveri tani udhëhiqet nga persona të cilët kundërshtuan këtë marrëveshje të vitit 2013.

“Gjatë vitit 2013 është bërë presion i madh te deputetët që të arrihet kjo marrëveshje sa më shpejt. Mungonte transparenca dhe informacioni. Sot, institucionet e Kosovës drejtohen nga njerëz që kundërshtuan marrëveshjen në vitin 2013 dhe që arritën një fitore plebishitare në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021”.

“Së dyti, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nga dhjetori 2015 me të drejtë thotë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk është i integruar në sistemin ligjor dhe kushtetues të Kosovës. Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese konstatoi se vetë ideja e AKS-së shkel 23 nene të Kushtetutës së Kosovës, e cila nuk parasheh asnjë integrim territorial në baza etnike”.

“Ne kemi një krijesë të tillë në BeH: quhet Republika Srpska, është ndërtuar në Dejton dhe i shërben Beogradit dhe jo serbëve. Prandaj Beogradi dëshiron një krijesë të ngjashme edhe në Kosovë. Në BeH kemi një shtet që nuk është republikë dhe brenda saj një republikë që nuk është shtet. Brenda Kosovës, Beogradi dëshiron një Asociacion që do të quhet republikë, por nuk do të jetë shtet”.

“Shpresoj se kemi nxjerrë disa mësime nga e kaluara dhe kemi studiuar dhe analizuar si duhet Serbinë dhe politikën e saj. Të cilën, për fat të keq, e ndjemë në lëkurën tonë”.

Related Articles