Kryeministri Albin Kurti e ka dënuar sulmin e mbrëmshën ndaj gazetarit Valon Syla, raporton Gazeta Enigma.
Kurti në fillim të mbledhjes së sotme të Qeverisë tha se sulmi ndaj Sylës është i patolerueshëm dhe i papranueshëm.
“Më lejoni fillimisht të them se sulmi i mbrëmshëm ndaj gazetarit dhe opinionistit Valon Syla është i patolerueshëm dhe i papranueshëm. Mospajtimet në bindje dhe qëndrime nuk mund dhe nuk duhet të jenë shkas për sulme fizike. Në një shoqëri demokratike të cilën e prezantojmë dhe e promovojmë me krenari, nuk duhet të lejojmë asnjëherë që frika nga fjala e lirë të peshojë më shumë sesa liria e fjalës”, tha Kurti.
Kreu i Qeverisë ka kërkuar nga institucionet që ta trajtojnë këtë rast seriozisht që autorët të vihen para drejtësisë “sa më parë”.
“Z. Syla i urojmë shërim dhe rikuperim të shpejtë, ndërkaq nga institucionet e vendit presim dhe kërkojmë që rasti të trajtohet me seriozitetin e duhur, ashtu që autorët sa më parë të vihen para drejtësisë”, tha Kurti.