Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk është deklaruar për draft-statutin për Asocacionin e komunave me shumicë serbe, të cilin kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka dërguar te presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe te kancelari gjerman, Olaf Scholz.
I pyetur për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë dhe nëse e ka parë draft-statutin e kryeministrit Rama për Asocacionin, Kurti nuk ka dhënë përgjigje, por ka folur për vizitën e presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj dje në Prizren.
Ai ka falënderuar presidentin Begaj për vizitën me rastin e 145-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, duke theksuar se kjo lidhje është ngjarja që ndodhet në themel të identitetit kombëtar shqiptar.
“Dje në Prizren ishim edhe në një drekë të përbashkët me presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, të cilin e falënderojmë përzemërsisht që erdhi në kryeqytetin kulturor e historik të shqiptarëve, sepse Lidhja e Prizrenit është ngjarja, e cila ndodhet në themel të identitetit kombëtar shqiptar dhe pa të cilin nuk mund të paramendohet as 28 nentori i vitit 1912”, është shprehur Kurti.
Këtë deklaratë kryeministri Kurti e ka bërë pas homazheve te varrezat e dëshmorëve në kryeqytet, me rastin e 24-vjetorit të çlirimit të Komunës së Prishtinës.
Ndryshe, kryeministri shqiptar, Edi Rama ka deklaruar të enjten se e ka dorëzuar një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe te presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz. Për këtë dokument, ai ka thënë se i ka vënë në dijeni edhe presidentin e Këshillit Evropian dhe amerikanët. Rama ka thënë se drafti është i punuar nga ekspertë dhe sipas tij, pret që i njëjti të vlejë për të çuar në një nivel tjetër dialogun Kosovë-Serbi./KP