Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes foli për “fqinji agresor”, shkruan Enigma.
Ai tha se udhëheqja e Serbisë së sotme në krye me Aleksandar Vuçiqin ka mbetur prapa në kohë dhe Serbinë e quajti shtetin më kiç në Europë.
“Kam dal bukur moti nga burgu tashmë, por udhëheqja e Serbisë nuk ka dalë ende nga koha kur unë kam qenë në burg. Mbase burgu nuk është vetëm me grila. Serbia nuk po e respekton marrëveshjen bazike të cilës ia ka shkelë 8 nga 11 nene ngjashëm qysh nuk respekton dhe nuk zbatohet aneksi 7 i Marrëveshjes së Dejtonit, Marrëveshja e Konçulit nga viti 2001 apo dakordimet nga Brukseli para një dekade e më shumë si p.sh për kthimin e kadastrit, njohjen e diplomave ose vendosjen e pikave kufitare”.
Kurti tha se Vuçiq do që të kthehet edhe në kohën kur ai ishte në burg apo edhe para se të fitojë Qeveria e tij.
“Presidenti i Serbisë disa herë ka thënë që ai nuk do ta nënshkruajë kurrë kapitullimin e Serbisë. Në fakt, nuk ka nevojë ta bëjë këtë. Kapitullimin tashmë e kanë nënshkruar dy gjeneralë serbë në Kumannovë më 9 qershor 1999. Vuçiq po do që të kthehet prapa në kohë herë para vitit 1999 kur Kosova u çlirua, herë para vitit 2008 kur u shpall pavarësia e Kosovës, herë para vitit 2021 kur u zgjodh Qeveria jonë. Madje nganjëherë ai dëshiron të kthehet edhe para fundit të vitit 2001 kur unë u lirova nga burgu i Nishit”.
Kurti iu drejtua bashkëpartiakëve që ndjekin lajmet e zhvillimet, duke iu thënë se shohin si është bërë Serbia sot.
“Para një çerekshekulli nga politika dhe gazetaria atje ishte dyshja Zoran Gjingjiq dhe Sllavko Çuruvija dhe tani pasi që i vranë atë dy janë Aleksandar Vuçiq dhe Zhelko Mitroviq. Serbia është shteti ma kiç në kontinentin europian, i padurueshëm për intelektualët dhe të ndershmit. Presidenti i Serbisë akuzon Qeverinë tonë se dëshiron t’i dëbojë serbët nga Kosova. Në fakt, serbët janë shumë më të sigurt në Kosovë sesa në Serbi. Atje ka shumë dhunë vrastare në televizion, në shtëpi dhe në shkolla. Në Serbi emisionet debutuese janë përplot me kriminelë të luftës”.