Kush dhe pse po e kërcënon me bomba Aeroportin e Prishtinës

Kush dhe pse po e kërcënon me bomba Aeroportin e Prishtinës

Një varg alarmesh për mjete shpërthyese ndodhën në Kosovë kohëve të fundit. Përveç Kosovës, ekspertë të sigurisë bëjnë të ditur se kërcënime të ngjashme ka pasur edhe në rajon. Ata vlerësojnë se objektet publike në vend nuk kanë siguri të mjaftueshme për sa i përket kërcënimeve me bomba.

Muajve të fundit, janë shtuar alarmet e rreme për bomba në Kosovë. Një tjetër kërcënim me bombë ka alarmuar Aeroportin e Prishtinës ditë më parë, por që më vonë u qartësua se është i rremë, teksa intervenoi Policia e Kosovës. Këto alarme po shkaktojnë një perceptim të gabueshëm të sigurisë, thotë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, teksa thotë se ato do të hetohen hollësisht.

“Ne do t’i hetojmë deri në detaje prejardhjen e këtyre kërcënimeve dhe do të ndërmarrim masa drastike ndaj atyre që bëjnë këso shkeljesh ligjore”, ka thënë Sveçla.

Rashit Qalaj, ish-drejtor i Policisë së Kosovës, aktualisht anëtar i Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, tha për Radio Kosovën se kërcënimet për bomba nuk ka shumë gjasa të rezultojnë të vërteta. Por, ai thotë se të gjitha raportimet duhet të merren seriozisht. Qalaj tha se objektet publike nuk kanë siguri të mjaftueshme për shkak të mungesës së personelit të sigurisë.

“Për shkak të kostos financiare, institucionet hezitojnë të kontraktojnë sigurime private. Ndërsa në objektet qeveritare janë duke e angazhuar Policinë e Kosovës, që unë mendoj se është gabim, sepse edhe objektet qeveritare duhet të kontraktojnë ndonjë kompani private ose punëtorë të sigurisë në mënyrë që ta lirojnë policinë nga këto punë të rojeve fizike dhe policia ta kryejë punën e saj të përcaktuar me ligj”, tha Qalaj për Radio Kosovën.

Eksperti i Sigurisë, Nuredin Ibishi, thotë se kërcënimet me bomba mund të jenë pjesë e një lufte hibride që synon të krijojë panik.

“Zakonisht kjo po i adresohet kësaj luftës civile të Rusisë. Këto nga aspekti i sigurisë duhet të merren seriozisht dhe ndërmerren të gjitha masat si evakuimi dhe zbulimi”, tha Ibishi.

Sipas ekspertëve të sigurisë, alarmet e tilla në rajon shtrojnë domosdoshmërinë që institucionet përkatëse të sigurisë, të rrisin nivelin e gatishmërisë dhe të shkëmbejnë informacionet nëse porositë që dërgohen janë të ndërlidhura dhe kanë qëllim të njëjtë, që të nxisin frikë dhe panik te qytetarët dhe kështu të destabilizojnë rendin shoqëror e politik.

Related Articles