Me 69 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim miratohet buxheti i Kosovës, shkruan Gazeta “Enigma”.
Por, ndonëse u miratua buxheti, opozita pati kritika të ashpëra për formën se si ishte ndërtuar plani.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, nuk u pajtua më këtë konstatim. Ai në emër të partisë deklaroi se ka një dallim mes programit të qeverisë dhe buxhetit. “Premtimet nuk janë të reflektuara në buxhet. Nuk do të ketë rritje të pagave as të pensioneve. Kemi një mos reflektim të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike. Qeveria mund të mos pajtohet por derisa është në fuqi duhet të respektuar. Ajo çka e karakterizon këtë buxhet është deficiti i lartë. Kjo rrezikon që në një periudhë të afërt të rritet borxhi publik dhe kjo i bie që rritja ekonomike prej 3 ose 4 për qind do të jetë vetëm për mbulimin e borxhit”, ka thënë Hamza. Siç ka thënë ai nëse vjen rritja ekonomike prej borxhit publik, nuk është rritje e qëndrueshme ekonomike. ‘Nuk e përmban as programin e Qeverisë as kërkesat e qytetarëve. Nëse vazhdon rritja e borxhit do të identifikoheni si Qeveria që ka rritur më së shumti borxhin”.
Edhe Bekim Haxhiu, Ganimete Musliu dhe Mërgim Lushtaku, janë disa nga deputetët e PDK-së të cilët reaguan në lidhje me disa projekte të cilat i kanë propozuar por që ato nuk figurojnë në buxhetin e shtetit.
Kritika pati edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami. Ajo ka thënë se kur merren krahasimet duhet të merret referencë viti 2019, e jo viti kur vendi përballej me pandemi. /Gazeta Enigma/