Nuk miratohet rezoluta e opozitës kundër shtrenjtimit të rrymës

Nuk miratohet rezoluta e opozitës kundër shtrenjtimit të rrymës

Rezoluta e opozitës kundër shtrenjtimit të rrymës nuk është miratuar të mërkurën nga Kuvendi i Kosovës, raporton Gazeta Enigma.

Kjo rezolutë mori vetëm 30 vota pro.

Ishin deputetët e VV-së të cilët nuk morën fare pjesë në votim dhe si e tillë rezoluta dështoi.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, propozoi të mërkurën në Kuvend miratimin e rezolutës për anulimin e vendimit të ZRRE-së për shtrenjtim të energjisë.

Ai kishte thënë se kjo rezolutë është në përkrahje edhe të partive tjera opozitare. Tutje ai kishte kërkuar edhe shkarkimin e bordit të ZRRE-së

“Në mbështetje të nenit 65 grupi i AAK, PDK dhe LDK i propozojmë kuvendit miratimin e kësaj projekt rezolute.  Deputetët e AAK, PDK dhe LDK votojnë për anulimin e vendimit të ZRRE për shtrenjtimin e energjisë elektrike, ku nuk ka vota mjaftueshëm dhe shtyhet për seance tjetër”, ka deklaruar Tahiri.

“Deputet e kuvendit kërkojnë që vendimi i ZRRE të anulohet menjëherë. Kuvendi të inicioje shkarkimin e bordit të ZRRE-së. Qeveria subvencionojë çmimin e energjisë. Qeveria të heqë TVSH për energji. Qeveria të angazhohet për themelimin e fondit për konsumatorë në nevojë. Të nisin konsultime për tarifa të reja”, ka thënë ai.

Më poshtë gjeni tekstin e Rezolutës i propozuar nga PDK, AAK dhe LDK:

Në një situatë të renduar ekonomike si dhe ndikimit zingjiror të krizave, shtrenjtimi është i papërballueshëm për shumicën e familjeve në Kosovë. Diferencimi i konsumatorëve është jashtë frymës kushtetuese dhe shkelje e të drejtave të njeriut.

Vendimi i ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës të anulohet menjëherë.

Kuvendi të iniciojë shkarkimin e bordit të ZRRE-së për mungesë profesionalizmi.

Qeveria të subvencionojë çmimin e rrymës për të gjithë qytetarët linearisht.

Qeveria të heq TVSH-në për energjinë.

Qeveria të angazhohet për themelimin e fondit për konsumatorët në nevojë.

Të nisin konsultimet për tarifat e reja që duhet të jenë pjesë e strategjisë./Gazeta Enigma/

Related Articles