Të shtunën e 5 prillit ka ndodhur një ngjarje tragjike në Veternik të Prishtinës, ku një person ka humbur jetën si pasojë e shembjes së dheut, ndërsa një tjetër ka mbetur i lënduar, raporton Gazerta “Enigma”.
Sipas burimeve të Sinjalit brenda organeve të rendit kanë bërë me dije se personi që është arrestuar në lidhje me këtë rast është Arian Rama. Pas intervistimit nga hetuesit rajonalë dhe me urdhër të prokurorit kujdestar, i njëjti është ndaluar për 48 orë.
Rasti ka ndodhur më 5 prill 2025, rreth orës 12:30, në rrugën “Gjilani”, mbrapa Albi Mall në lagjen Veternik të Prishtinës. Gjatë punimeve ndërtimore, dyshohet se për shkak të mungesës së masave mbrojtëse e pajisjeve të sigurisë, dheu është shembur duke zënë dy punëtorë.
Fatkeqësisht, njëri nga punëtorët, Fatlum Haradinaj, nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe u konfirmua i vdekur nga stafi mjekësor. Ndërsa punëtori tjetër, Mufail Kameri, është dërguar për trajtim në QKUK.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante të Policisë, emergjenca, forenzika dhe Prokurori kujdestar. Rasti është iniciuar si “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës” dhe është duke u hetuar me prioritet nga autoritetet kompetente.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.