Emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka paralajmëruar se në ditët e ardhshme do të ketë intensifikim të përpjekjeve të BE-së për procesin e dialogut.
Të premten, Lajçaku i shoqëruar nga këshilltarët e lartë për politikë të jashtme të kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez Emmanuel Macron, takoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Në mbrëmje, në një shkrim të shkurtër në Twitter, ai ka thënë se takimet ishin përmbajtjesore.
“Sot, bashkë me këshilltarët e lartë për politikë të jashtme të presidentit francez dhe kancelarit gjerman, pata diskutime gjithëpërfshirëse, të rëndësishme me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandar Vuçiq për të shikuar opsionet për progres në dialog. Procesi do të vazhdojë në ditët e ardhshme”, ka shkruar ai në Twitter.
Vizita e së premtes ishte e dyta për Lajçakun brenda dy javësh. Ai u shoqërua nga këshilltarët për politikë të jashtme të Gjermanisë, Jens Plotner, dhe të Francës, Emmanuel Bonne. Pas Kosovës, emisari Lajçak dhe këshilltarët e kancelarit Olaf Scholz dhe presidentit Emmanuel Macron udhëtuan drejt Serbisë. E pas takimit me delegacionin evropian, Vuçiq ka paralajmëruar se do ta mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
Pas vizitës në Kosovë, Lajçaku nuk dha detaje duke thënë se e ka përfunduar “pjesën e parë të misionit”. Nga Qeveria kanë thënë se ardhja e këshilltarëve është bërë me propozimin e Scholzit dhe Macronit, me qëllim të gjetjes së opsioneve për të ecur përpara në procesin e bisedimeve. Ndërkaq në Serbi, presidenti Aleksandar Vuçiq u shpreh se “nuk do të ketë njohje të Kosovës”.
Më 4 shtator, Scholzi dhe Macroni u kishin drejtuar nga një letër Kurtit e Vuçiqit. Aty theksohej se për Ballkanin Perëndimor, normalizimi i plotë i marrëdhënieve Kosovë-Serbi është i një rëndësie kyçe. Të dyve iu bë thirrje për të treguar gatishmëri për zgjidhje maksimale për të marrë vendime të vështira që shpijnë drejt progresit në dialog.
Për herë të fundit, Lajçaku ka qëndruar në Kosovë në fundin e gushtit. Ai dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, janë angazhuar për gjetjen e një zgjidhjeje që do të shmangte tensionet në veri të Kosovës, në prag të hyrjes në fuqi të vendimeve të Qeverisë për reciprocitet në targa dhe në dokumente të identifikimit.
Pas vizitës së tyre, Kosova dhe Serbia arritën pajtim për kalimet kufitare vetëm me letërnjoftime më 27 gusht, pak ditë para hyrjes në fuqi të masës së reciprocitetit më 1 shtator.
Dy shtete ende nuk kanë gjetur pajtim edhe për çështjen e targave. Kurti javë më parë ka deklaruar se një nga opsionet e propozuara nga emisari Lajçak ka qenë rikthimi i targave të UNMIK-ut për serbët në veri, porse ai është kundërshtuar. Një marrëveshje për çështjen, Lajçak pret se do të gjendet brenda dy muajsh, deri në skadimin e afatit të 31 tetorit për konvertimin e targave të veturave të lëshuara nga Serbia me akronimet e qyteteve të Kosovës, në ato të Republikës së Kosovës.
Today, together with the senior foreign policy advisors of French President and the German Chancellor, I had important in-depth discussions with PM @albinkurti and @predsednikrs @avucic to explore options for progress in the Dialogue. The process will continue in the coming days. pic.twitter.com/BXm0RAmhST— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) September 9, 2022