Lajmi për vizat, Kurti: Kriteret teknike ishin plotësuar moti, por kërkohej luftë kundër korrupsionit

Lajmi për vizat, Kurti: Kriteret teknike ishin plotësuar moti, por kërkohej luftë kundër korrupsionit

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se e mirëpret vendimin e shteteve anëtare të BE-së për procesin e liberalizimit të vizave për qyetarët e Kosovës.

Kurti, vendimin e cilësoi si të vonuar, ndërsa tha se është njohje dhe konfirmim i përkushtimit të qeverisë për sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, forcimit të kontrollit kufitar dhe meanxhimit të migrimit.

“E për këtë dua të ju falënderoj juve, të dashur qytetarë, sepse vendimi i sotëm është fillimisht meritë e juaja ngase vetëm ju mund të ndryshonit imazhin e vendit tonë duke ndryshuar qeverinë përmes votës dhe qeverisjen përmes pritshmërive”, është shprehur Kurti, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, ai tha se kriteret teknike ishin plotësuar moti, por sipas tij, ishin edhe kërkesat për sundim të ligjit, luftim të krimit dhe korrupsionit e respektimin e institucioneve të pavarura, që siç tha ai, nuk përmbusheshin dot.

“Pengesë ishte edhe imazhi jo i mirë i vendit, për shkak të aferave korruptive, kulturës së mosndëshkueshmërisë dhe migrimit masiv e ilegal drejt vendeve të zonës Schengen”

“Rritja ekonomike dhe e vazhdueshme; renditja në vend të parë për sundim të ligjit në Ballkanin Perëndimor për dy vite radhazi sipas Ëorld Justice Project; përmirësimi për 17 vende në indeksin e perceptimit të korrupsionit të Transparency International; përmirësimi për 17 vende në indeksin e Reporterëve pa Kufij për lirinë e mediave; politikat sociale të rishpërndarjes me Pakon e Ringjalljes Ekonomike dhe atë për Përballje me Inflacionin; rreshtimi me botën demokratike dhe qeverisja e mirë dhe e pastër ka ndryshuar rrënjësisht imazhin e Kosovës”, tha Kurti.

Kujtojmë se pas vendimit të sotëm, tani procedurat e ligjbërjes në BE vazhdojnë përmes vendimmarrjes ndër-institucionale mes Këshillit të BE-së dhe Parlamentit Evropian.

Related Articles