PDK refuzoi kërkesën e kryetarit të Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limajt, që ai të përfshihej në listën e kandidatëve të PDK-së për deputetë në zgjedhjet e 7 qershorit. Megjithatë, pas këtij refuzimi pati zëra kundërshtues nga anëtarë brenda kësaj partie, konkretisht nga Mergim Lushtaku dhe Ramiz Lladrovci, shkruan Gazeta Enigma.
Kjo nuk ishte hera e parë që dështon një ribashkim i Limajt me PDK-në. Edhe për zgjedhjet e 28 dhjetorit, Limaj kishte tentuar të hynte në një listë me PDK-në, por kjo nuk ndodhi. Atëkohë, Limaj kishte premtuar se nëse e kalonte pragun bashkë me Nismën, në Parlament do të bëheshin një me PDK-në. Megjithatë, kalimi i pragut nuk u arrit.
“Thaçit nuk do t’i duheshin dy fjalë”
Anëtari i PDK-së, Mergim Lushtaku, tha se “vetëm të bashkuar kemi një alternativë më të madhe kundër Vetëvendosjes”.
“Fatkeqësisht u mor një vendim i tillë. Megjithatë, unë mendoj se vetëm të bashkuar kemi një alternativë më të madhe kundër Vetëvendosjes në këtë rast dhe mendoj se ne do të kishim arritur më shumë mbështetje dhe besim ndaj PDK-së po të ishim bashkuar”, tha Lushtaku.
Ai përmendi edhe themeluesin e partisë, Hashim Thaçi, për të cilin tha se “nuk do t’i duheshin dy fjalë” për rikthimin e Limajt dhe se do ta mirëpriste një veprim të tillë.
“Besoj se po të ishte ai këtu, nuk do t’i duheshin dy fjalë. Po të ishte në të mirën e Kosovës, bashkimi do ta bënte ndryshimin”.
“U ripërsërit modeli i ndikimit në Kryesinë e PDK-së”
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, akuzoi për ndikim nga jashtë në Kryesinë e PDK-së.
“U ripërsërit modeli i ndikimit në Kryesinë e PDK-së. Krijuesit e kësaj fryme nuk po i bëjnë shërbim Kosovës e as PDK-së. Për ta paraqitur Bedriun humbës dhe Fatmirin jomeritor në listë, janë ata që nuk patën guxim të ballafaqohen me pozitën dhe qytetarin ndër vite”, tha Lladrovci.
“Bashkimi me Limajn u kundërshtua nga frika e figurave të reja në PDK”
Njohësi i çështjeve politike, Valdet Hoxha, në një prononcim për Gazetën Enigma, tha se PDK ka bërë “një gabim kardinal” me mospranimin e Limajt në listën zgjedhore.
“Limaj është një figurë karizmatike, popullore, me pëlqyeshmëri të madhe te qytetarët. Kjo do t’i bënte mirë çdo partie. Kur opozita është e interesuar për ta zbehur partinë e parë në vend, çdo figurë me peshë politike do të duhej të ishte e mirëseardhur në kampin opozitar”, tha Hoxha për “Enigmën”.
Ai tutje tha se arsyeja pse është kundërshtuar ardhja e Limajt “ka të bëjë me frikën elektorale nga disa figura të reja në PDK, të cilët nga zyrat e tyre të klimatizuara e ndjejnë frikën e prishjes së komoditetit elektoral nga figura me peshë, siç është ajo e Fatmir Limajt”.
Megjithatë, Hoxha tha se refuzimi i Limajt nuk do të ndikojë në përçarje apo në krijimin e grupacioneve brenda partisë.
“Por, besoj se do të dëmtohet për të paktën me dy deputetë Partia Demokratike, sepse Limaj ka një votë të koncentruar dhe të sigurt. Prandaj, është një gabim politik dhe strategjik i PDK-së, i cili do t’i kushtojë në këto zgjedhje. Por, nuk besoj se Limaj do të jetë shkak për ndarje të reja”, deklaroi në fund analisti Hoxha.
“PDK dhe Fatmir Limaj nuk kanë më ndonjë të përbashkët”
Profesori universitar, Mazllum Baraliu, tha se një ndër arsyet pse Limaj u refuzua nga PDK-ja është se “nuk kanë më ndonjë të përbashkët”.
“Ata janë ndarë njëherë dhe e kanë atë pykën në mes, atë vijën plasaritëse dhe tani më edhe me programe mund të kenë vizione të ndryshme, ide të ndryshme. Nisma do të duhej të konsolidohej, të forcohej dhe të mobilizohej, në mënyrë që të ketë vetë kurajë për të shkuar në zgjedhje dhe ta kalojë pragun”, tha Baraliu për Gazetën Enigma.
Sa i përket faktit nëse ka bërë gabim PDK-ja apo jo me mospranimin e Limajt, Baraliu tha se organet e brendshme të partisë kanë bërë kalkulimin se si u del më mirë – të bashkohen para zgjedhjeve, pas zgjedhjeve apo të mos bashkohen fare.
“Sigurisht se ka gjithmonë zëra përçarës. Ajo është shtëpi e madhe dhe mund të ketë zëra pro dhe kundër. Por, vendimet merren me shumicë votash dhe çështja e Limajt është punë e kryer. Do të duhej që kjo të kuptohej dhe nëse dikush do të jetë në një parti, nuk mund të ngrejë zëra kundër për çështje që janë të rëndësishme në prag të zgjedhjeve. Nuk ka rëndësi fare që dikush e ngre zërin, organet vendosin me shumicë votash”, tha profesori Baraliu në prononcimin për “Enigmën”.
A do të ketë ngritje PDK në zgjedhjet e 7 qershorit?
Analisti tjetër politik, Xhavit Drenori, parasheh se PDK nuk mund të ketë rritje të theksuar në zgjedhjet e 7 qershorit.
Kjo pasi, sipas tij, nuk ka ndonjë prurje domethënëse apo diçka të re brenda partisë që do të sillte risi në elektorat.
Sipas Drenorit, rritje në vota mund të ketë LDK-ja, për shkak të bashkimit me ish-presidenten Vjosa Osmani, ndërkohë që për LVV-në ai parasheh lëvizje të vogla në elektorat.
Sa i përket Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Drenori tha se kjo parti do ta ketë të vështirë kalimin e pragut. /GAZETA ENIGMA/
