Limaj, Muriqit: Mos u mërzit, “bërlloga” të tillë fyen edhe ndaj UÇK-së

Limaj, Muriqit: Mos u mërzit, “bërlloga” të tillë fyen edhe ndaj UÇK-së

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka dalë në mbështetje të Vedat Muriqit, për të cilin në rrjete sociale është përfolur shumë nga mbrëmë, pasi Kosova humbi finalen e play-off-it ndaj Turqisë.

Përmes një postimi në Facebook, Limaj tha se “çdo shtëpi e ka bërllokun e vet”, dhe se të tillët kanë etiketuar edhe për UÇK-në gjatë luftës.

“Vedat, mos u mërzit. Çdo shtëpi e ka ‘berllogun’ e vet. Të tillët e kanë thuajse në natyrë me fyer e me etiketuar ata që me zemër i kanë shërbyer dhe i shërbejnë atdheut. Kështu kanë shpifur e etiketuar edhe për UÇK-në gjatë luftës dhe vazhdojnë edhe sot”.

“Ata, kur shpifin, nisen nga vetja e tyre, sepse nuk e kanë brumin për t’i shërbyer atdheut e për të qenë krenarë me zemër. Janë thjesht zëra që nuk përfaqësojnë vlerat e këtij vendi”, u shpreh Limaj.

Kreu i Nismës i tha kurajë Muriqit, me fjalët: “Mirënjohje për ty dhe ekipin, për emocionin dhe dashurinë që po ua transmetoni fëmijëve tanë për fanellën dhe shtetin. Vazhdo me kokën lart, jemi krenarë me ju”. 

Related Articles