Liverpooli ka triumfuar 4-1 ndaj Chelseat në kuadër të javës së 22-të në Ligën Premier.
Blutë protestuan për një penallti në minutën e gjashtë, kur Conor Gallagher u rrëzua në zonën e The Reds, por gjyqtari heshti dhe nuk shikoi as në VAR.
Në minutën e tetë, Darwin Nunez krijoi një shans për gol, por që portieri i Chelseat ndërhyri për ta çuar topin në goditje nga këndi.
Sulmuesi uruguaian (18’) kishte sërish një mundësi shënimi, por që portieri i Bluve sërish intervenoi.
Liverpooli më në fund ia doli që të shënonte golin e epërsisë, kur në minutën e 24-të shënuan nëpërmjet Diogo Jotas.
Ben Chilwell (35’) kërkoi penallti kur u rrëzua në zonë nga Ibrahima Konate, por gjyqtari sërish heshti, madje i dha anglezit karton të verdh.
Në minutën e 39-të, vendasit shënuan edhe golin e dytë, tani nëpërmjet talentit Conor Bradley, për rezultatin 2-0.
Liverpooli pati shansin që të shënonte edhe golin e tretë, por nga penalltia dështoi Nunez (45+2′) që goditi shtyllën.
Edhe 45 minutat e dytë u dominuan nga vendasit, që shënuan dy gola të tjerë, ndërsa Chelsea shënoi atë të nderit.
Dominik Szoboszlai shënoi në minutën e 65-të për 3-0 kur u asistua nga Bradley.
Chelsea ia doli të ngushtonte epërsinë në 3-1 me golin e Christopher Nkunku (71’), por kjo ishte e gjitha nga ta.
Për të vulosur fitoren e Liverpoolit (4-1), u përkujdes Luis Diaz që u asistua nga Nunez.
Pas javës së 22-të, Liverpooli vazhdon sigurt si lider me 51 pikë, pesë më shumë se Arsenali që e pret në xhiron e 23-të, ndërsa Chelsea që takohet me Wolvesin është në vendin e dhjetë me 31 pikë.