Lojërat politike që po lënë karrigen e kryeprokurorit të vendit të zbrazët

Lojërat politike që po lënë karrigen e kryeprokurorit të vendit të zbrazët


Tash e një vit në ulësen e kryeprokurorit të shtetit, nuk po ulet askush.
Këshilli Prokurorial në prillin e vitit të kaluar e ka votuar Blerim Isufajn për kryeprokuror të shtetit, por që i gjithë procesi ka ngecur, kur emri i tij kaloi kah zyret e presidentes, Vjosa Osmani, shkruan Gazeta Enigma.

Më 6 prill të vitit të kaluar, Këshilli Prokurorial i Kosovës e kishte propozuar Blerim Isufajn për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, por vendimin për dekretimin ose jo të tij nuk e ka marrë ende presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Më 10 prill, këshilltari për media i të parës së vendit, Bekim Kupina, në një deklarim për media, tha se zgjatja e vendimit për dekretimin apo jo të Blerim Isufajt për kryeprokuror, ka ndodhur për shkak të kontestimit në mënyrë ligjore që kishin bërë kundër-kandidatët.

“Presidentja e ka sqaruar publikisht se duke qenë se ka pasur kontestim në rrugë gjyqësore të procedurave të zhvilluara në KPK nga disa nga kundërkandidatë.”

E nëse ky proces nuk përmbyllet deri në prill, vet Kupina e kishe cilësuar si një situatë që do ishte ndërhyrje në pavarësinë e sistemit të drejtësisë.

“Afatet për një kontestim të tillë përfundojnë në fund të muajit prill, prandaj Presidentja do ta marrë vendimin pas shterimit të këtij afati, sepse e kundërta do të ishte ndërhyrje në pavarësinë e sistemit të drejtësisë”, kishte deklaruar Kupina.

Ndërkohë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) kishte thënë se procesi i përzgjedhjes ishte “plotësisht legjitim”, pavarësisht prej kundërshtimeve që procesi kishte hasur nga organizatat e shoqërisë civile dhe ambasadat e huaja në Kosovë.

Gazeta Enigma ka provuar të kontaktoj me zyrën e presidentes Osmani, por që të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

“Presidentja e Kurti s’e pranojnë Blerim Isufajn për Kryeprokuror”

Njohësi i sistemit të drejtësisë në Kosovë, Anton Nrecaj, në një prononcim për Gazetën Enigma, thotë se vonesat për marrjen e vendimit për dekretimin e kryeprokurorit të shteti, janë indikatorë se as Kryeministri dhe as Presidentja, nuk po e pranojnë Isufajn si kryeprokuror.

“Presidentja në fund ka njoftuar këto ditë se do të merret vendim për dekretimin apo jo të Blerim Isufajt për Kryeprokuror të shtetit është rast i paprecedent. Për më shumë se një vit është dashur të pritet. Ky është indikator se as Presidentja dhe Kryeministri nuk kanë dashur që të dekretojnë Kryeprokurorin e shtetit”, tha ai.

Tutje, ai thotë se e gjithë kjo ka të bëjë rreth rastit të arrestimit të kryeshefit të KEK-ut, kundër së cilës është edhe Kurti, dhe se kjo shihet si tentim i kapjes së drejtësisë në vend.

 “Në një vend normal dhe funksional çështja e dekretimit të kryeprokurorit nuk do të merrte më shumë se gjashtë muaj kohë. Zbrazëtira e krijuar pa kryeprokuror e dëmtuar dhe rënduar edhe më shumë sistemin e drejtësisë. Tani pasi kemi veprime konkrete në rastin e fundit të korrupsionit në KEK ka njoftuar se do të marrë vendim. Kjo mund të shihet si tendencë për të kapur apo për të pasur nën kontroll sistemin e drejtësisë. Pavarësisht vendimit që presidentja do merr është i vonuar dhe aspak serioz”, përfundon ai.

Opozita kritikon pushtetin për mos dekretimin e Isufajt

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, i ka dalur në mbrojtje prokurorit Isufaj, duke thënë se kur krerët e shtetit linçojnë njerëz të tillë, ato bëhen më të besueshëm për qytetarët.

“Në Kuvend, në debate dhe intervista nga zyrtarët e lartë shtetëror, të mbështetur edhe nga analistët lojal të partisë në pushtet, është përfolur prokurori i shtetit z.Blerim Isufaj, duke e cilësuar atë si të padenjë për detyrën të cilën ai e ushtron. Ai, përkundër mandatit të tij dhe autorizimeve ligjore, u përfol dhe u etiketua si shantazhues, sabotues, idhnak e tekanjoz, i kapur për bishti, deri te përmasat e një monstrumi antikombëtar e antishtetëror. Kur cilësime të tilla bëhen nga zyrtarët e lartë shtetëror, ato bëhen të besueshme për një numër të qytetarëve“ tha ai.

Tutje, Quni tha për Gazetën Enigma se e njeh mirë Isufajn, dhe se ai gëzon virtyte të larta njerëzore.

“Do të ishte e besueshme edhe për mua po të mos e njihja personalisht z.Blerim Isufajn. Jam dëshmitar se si Blerimi nën uniformën e UÇK-së, i doli zot atdheut. I diciplinuar, i motivuar dhe i përgatitur, ishte shembull i mirë për të gjithë bashkëluftëtarët. Asnjë moment ligështimi, madje edhe kur e shikonte vdekjen në sy. Megjithatë, ai e vazhdoi një luftë tjetër, luftën kundër kriminelëve, po aq të rrezikshme për jetën e tij, por në mbrojtje të rendit dhe ligjit. Është po i njëjti Blerim që e njoh që nga lufta: i ditur, trim dhe modest”, përfundoi ai.

Kurti s’e jep ‘aminin’ për Isufajn

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një seancë Kuvendi para dy javësh, pas urdhërit të arrestimit të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, ishte shprehur ashpër lidhur me Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.

Madje, Kurti në një moment e ka marrë kompetencën e presidentes Osmani, duke thënë se Blerim Isufaj nuk do të mund të bëhet Kryeprokuror.

“ Ky prokuror, dëshiron të bëhet kryeprokuror, përkundër vullnetit të Presidentës, Kryeparlamentarit dhe Kryeministrit të vendit. Ky njeri, përkundër tre krerëve shtetëror, përkundër përvojës së hidhur që ka vendi me të, dëshiron të bëhet Kryeprokuror.” thotë Kurti. / Gazeta Enigma.

Related Articles