Lugina thonë se ndërkombëtarët po heshtin ndaj diskrimimit të tyre nga Serbia, BE-ja deklarohet për pasivizimin e adresave

Lugina thonë se ndërkombëtarët po heshtin ndaj diskrimimit të tyre nga Serbia, BE-ja deklarohet për pasivizimin e adresave


Viteve të fundit Serbia dhe autoritetet e saj në vazhdimsi kanë ndjekur politika diskriminuese ndaj popullsisë shqiptare të Luginës së Preshevës, e njëra nga to është fshirja e adresave të shqiptarëve që jetojnë në atë zonë, shkruan Gazeta Enigma.

Lidhur me këtë problematik, përfaqësues të Luginës thonë se po injorohen shpeshherë nga Bashkësia ndërkombëtare, e cila sipas tyre nuk po i del në ndihmë atyre në orfrimin e të drejtave elemenetare.

E për këtë cështje, Gazeta Enigma ka drejtuar pyetje kah Bashkimi Evropian të cilët thonë se janë në dijeni për këtë problematik, porse nuk kanë ofruar ndonjë zgjidhje konkrete.

“Jemi në dijeni të raporteve për pasivizimin e adresave të pjesëtarëve të komunitetit shqiptar në Serbinë Jugore. Ne po e ndjekim situatën në dritën e angazhimeve të marra në kuadër të negociatave të anëtarësimit, veçanërisht ato që lidhen me të drejtat e personave që u përkasin pakicave kombëtare”, ka thënë një zëdhënës i BE-së, për Enigmën.

Nga BE ritheksojnë se “Në raportin tonë të vitit 2023 për Serbinë kemi thënë se ka nevojë që autoritetet t’i shpjegojnë më mirë publikut se si po kryhen kontrollet e statusit të rezidencës, duke rezultuar në ‘pasivizimin’ e adresave të caktuara dhe nëse Serbia e Jugut është në shënjestër të veçantë”.


Protesta e shqiptarëve të luginës dhe diskriminimet e vazhdueshme nga Serbia

Për diskriminimet që ju bëhen shqiptarëve nga Serbia e veçmas për pasivizimin e adresave, u mbajt një protestë në Bujanoc të hënën e 12 gushtit.

Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafi, në një intervistë për Gazetën Enigma, ditë më parë theksoi Serbia nuk respekton as të drejtat themelore të shqiptarëve, sic është përdorimi i gjuhës shqipe.

“Një nga problemet më të mëdha është mungesa e të drejtave themelore të përdorimit të gjuhës shqipe, diskriminimi në ndarjen e burimeve shtetërore dhe përpjekjet për të ndryshuar strukturën demografike përmes manipulimeve e pasivizimit të adresave që Komiteti i Helsinkit në Beograd e ka cilësuar “spastrim etnik me mjete administrative”, tha ai.

Ai thotë se “diskriminimi institucional e sistematik është i pranishëm në çdo aspekt të jetës sonë, nga arsimi dhe punësimi deri te shërbimet publike dhe përfaqësimi politik”.

E kundrejt gjithë këtyre padrejtësive që u bëhen shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc po qëndron e heshtur bashkësia ndërkombëtare, sipas Mustafit.

“Heshtja e bashkësisë ndërkombëtare është zhgënjyese dhe e pakuptueshme. Ndërkohë që në shumë raste të tjera të drejtat e njeriut mbrohen me forcë, çështja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës shpeshherë kalon në heshtje. Por, ka edhe përfaqësues ndërkombëtar të cilit i përshëndes, ka reagime të denja në përputhje me situatën. Megjithatë mungesë e reagimit të furishëm e të fuqishëm ndërkombëtar vetëm sa e përkeqëson situatën dhe rrit frustrimin e shqiptarëve në Luginë”. / GAZETA ENIGMA.

Related Articles