Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku, ka kritikuar seancën e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje për çështjen e presidentit, duke e cilësuar atë më shumë si një platformë partiake sesa një proces institucional.
Sipas saj, në këtë seancë nuk është trajtuar fare propozimi i LDK-së për zgjidhjen e çështjes së presidentit.
“Dy orë diskutime në një seancë që i ngjante më shumë një platforme partiake sesa një procesi institucional. Asnjë trajtim, asnjë fjalë, asnjë qëndrim për propozimin tonë: çështjen e vetme thelbësore, pra zgjidhjen konkrete për president”, ka thënë Lushaku.
Ajo ka ngritur pyetjen nëse Vetëvendosje i ka votat e nevojshme për propozimin e LDK-së.
“A i keni 66 vota për propozimin tonë?”, ka deklaruar ajo.
Lushaku theksoi se pa një përgjigje të qartë për këtë çështje, çdo diskutim tjetër, sipas saj, mbetet i paplotë dhe i pamjaftueshëm për zgjidhjen e situatës institucionale. Ajo e ka cilësuar debatin në Kuvend si “shou propagandistik”.
