Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje pritet të procedojë të mërkurën në Kuvend 40 nënshkrime për formimin e komisionit hetimor për energjinë.
Ndryshe nga kërkesa opozitare, mazhoranca do të përfshijë zgjerimin e hetimeve për sektorin e energjisë që nga shpallja e pavarësisë deri në qeverinë aktuale.
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë për KosovaPress se në kërkesën për formimin e komisionit hetimor parlamentar për sektorin e energjisë do të përfshijnë edhe pikat që janë të propozuara nga opozita.
“Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje e mbështetë formimin e komisionit hetimor parlamentar për sektorin e energjisë, me spektër të zgjeruar kohor të hetimeve. Jemi të interesuar në funksionimin e mirëfilltë të demokracisë dhe zbardhjen e të gjitha rrethanave që e karakterizojnë sektorin e energjisë. Do të prezantojmë propozimin tonë për zgjerim të spektrit të hetimit parlamentar duke përfshirë edhe pikat që i ka propozuar tashmë opozita. Me dyzet nënshkrime të grupit parlamentar do të dorëzojmë këtë kërkesë që të mundësojmë formimin e komisionit hetimor parlamentar. Ne jemi të interesuar në zbardhjen e të gjitha fakteve që lidhen me vendimmarrjen me sektorin e energjisë që nga shpallja e pavarësisë deri në qeverinë aktuale dhe një propozim të tillë do të dorëzojmë sot në Kuvendin e Kosovës”, thotë ajo për KosovaPress.
Një ditë para seancës plenare, ku është në rend dite kërkesa e opozitës për formimin e komisionit hetimor parlamentar, shefja e deputetëve të LVV-së thotë se në formën aktuale partitë opozitare e kanë të pamundur formimin e komisionit hetimor.
“Është vërejtur që opozita në kompozicionin aktual dhe mënyrën si janë dorëzuar 40 nënshkrimet e të gjitha grupeve parlamentare, përfshirë edhe Listën Serbe të bashkangjitur me tri partitë opozitare do të kenë të pamundur themelimin e komisionit hetimor parlamentar, pasi nuk ka grup parlamentar nga i cili mund të zgjidhet kryesuesi apo kryesuesi derisa partitë në pozitë e kanë të ndaluar me ligj të jenë në krye të komisioneve hetimore parlamentare. Në formën e tillë tashmë është marrë interpretimi edhe nga administrata e Kuvendit. Në dy legjislatura të ndryshme ka ndodhur një situatë e ngjashme edhe në kohën kur kryetar Kuvendi ishte Kadri Veseli dhe në kohën kur kryetare e Kuvendit ishte Vjosa Osmani-Sadriu dhe s’ka pasur mundësi të formimit të komisioneve hetimore parlamentare në momentin kur deputetët nga grupet parlamentare të opozitës janë të përfshirë në kërkesë”, shton Kusari-Lila.
Ajo i konsideron për keqardhje edhe pretendimet e opozitës, veçmas të PDK-së për ndërlidhjen siç e quan ajo fiktive të situatës aktuale të energjisë në Kosovë me raportimet për skandalin financiar të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj. / Gazeta Enigma.