Të martën Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar një video përmbledhëse të mandatit të saj 4-vjeçar teksa përmend disa progrese që sipas tyre janë bërë gjatë këtij mandati, shkruan Gazeta Enigma.
LVV-ja në video thekson se kanë “shtruar sovranitetin në pjesën veriore”, teksa thonë se “zbrapsëm planet e Serbisë për aneksim të veriut”.
“Energjia elektrike dhe tatimi në pronë atje tash paguhen sepse sundon shteti”, thuhet në këtë video.
“Mbi 400 mijë fëmijë dhe 70 mijë nëna lehona marrin shtesa nga shteti. Kemi trefishuar mbështetjen për fëmijë dhe kemi rritur pensionet dy herë. Shkatërruam bandat kriminale dhe luftuam korrupsionin prej lartë. Fituam liberalizimin, Spanja dhe Armenia na njohën pasaportën dhe shtuam miqësi të jashtme me shtetin”, theksojnë nga LVV.
“Qeveria Kurti është qeveria e parë në historinë tonë politike që realizon një mandat të plotë. Ky mandat katërvjeçar u shënua nga suksese të rëndësishme dhe sfida të mëdha. Katër vite për Republikën, katër vite që i dhanë shtetit themel të fuqishëm dhe qytetarëve dinjitet”. Sipas LVV-së “Kosova sot është më e sigurt, më e fortë dhe më e zhvilluar se kurrë më parë, me rend, ligj dhe shpresë në çdo cep të vendit”.
“Zgjedhjet e 9 shkurtit dëshmuan punën tonë të mirë gjatë këtij mandati. Na presin shumë punë të mira edhe në mandatin e ardhshëm. Po jetojmë në rrethana të vështira globale, por vetëm me qeverisje të mirë mund të triumfojmë”, thuhet ndër tjera në përshkrim.
LVV u krenua edhe me investimet e bëra në FSK, luftimin e inflacionit, e krizën energjetike që ishte prezente në Kosovë. / Gazeta Enigma.
VIDEO e plotë: