Marrëdhënie të ngrira me SHBA-në e BE-në – “Shuplakat” e ndërkombëtarëve ndaj Kosovës vazhdojnë

Marrëdhënie të ngrira me SHBA-në e BE-në – “Shuplakat” e ndërkombëtarëve ndaj Kosovës vazhdojnë


Aleatrja e Kosovës, SHBA-ja, e ka pezulluar deri në një afat të pacaktuar, dialogun strategjik me Kosovën. Teksa fqinji agresor, Serbia, pritet në fund të vitit të ndërtoj një dialog të tillë me ShBA-të, krerët kosovar gjenden në Amerikë, në një tentativë për të rregulluar këto raporte të krisura, shkruan Gazeta “Enigma”. Përpos kësaj, Kosova mbetet ende nën sanksionet e BE-së

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë, njoftoi të premten e 12 shtatorit, Ambasada amerikane në Prishtinë.

Ambasada tha se veprimet e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”.

Kosova dhe SHBA-ja pritej ta finalizonin marrëveshjen për dialogun strategjik këtë vit, pasi presidentja Osmani pati njoftuar në janar për arritjen e ujdisë mes dy vendeve.

Në anën tjetër, së fundmi, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio paralajmëroi pas një takimi me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, se Shtetet e Bashkuara dhe Serbia do të zhvillojnë dialog të përbashkët strategjik në fund të këtij viti.

Kjo duket se ka alarmuar krerët e vendit.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në javën e nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), njoftoi zyra e tij të enjten.

Kurti do të zhvillojë “takime dypalëshe me liderë në kuadër të javës së nivelit të lartë të sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në njoftim.

Kryeministria nuk tregoi se kush janë liderët me të cilët do të mbajë takime dypalëshe Kurti.

Ndërkohë, në Nju Jork këtë javë ndodhet edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila ka zhvilluar disa takime deri tani.

Të mërkurën, Osmani u takua me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, me të cilin tha se pati bisedë “përmbajtësore”.

Ajo i vijoi takimet me përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, të cilës ia përsëriti kërkesën e Kosovës për heqjen e masave ndëshkuese të BE-së.
Edhe me BE-në raporte të ngrira?

Analisti Mazllum Bajraliu, tha për Gazetën “Enigma” se pezullimi i Dialogut Strategjik është lajm me pasoja të dëmshme për vendin, dhe institucionet duhet ta marrin me urgjencë këtë zhvillim.

“Lajmi për pezullimin e dialogut strategjik është një lajm i pakëndshëm dhe me pasoja të dëmshme për Kosovën. Se a është i drëjtë apo i padrejtë vendimi, është çështje substanciale mes dy shteteve. Qeveria do duhej që ta merr si një shenjë alarmi dhe pa lëshuar pe në interesat e shtetit, por në kuadër të marrëdhënieve strategjike me interes të përbashkët, do duhej eventualisht të bëj përpjekjë të ripërtrijë këto marrëdhënie”, tha profesori universitar.

Ai tha se ky vendim i DASH-it është një gabim i politikës amerikane.

“Ndërkaq sa i përket anës amerikane, sigurisht që s’kanë bërë mirë, dhe nuk është momenti i duhur sepse raporti strategjik mes nesh nuk do duhej të prishen për asgjë, e aq më tepër kjo të ndodhë kur Serbia po e ndërton dialogun strategjik me ta, dhe kjo tingëllon keq”, shtoi ai.

Bajraliu tha se ky vendim i politikës amerikane, i ka dhënë kurajo presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, të dalë dhe të flet haptazi për pretendimet e shtetit serb për aneksimin e Kosovës, para OKB-së.

“E keni paraqitjen e djeshme të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Kombet e Bashkuara, i cili haptazi shpreh pretendimet se Kosova është pjesë e Serbisë. Pra, ka kurajon të thotë pretendimin e tij hegjemon për një shtet që është i njohur nga 107 vende të asaj asambleje. E unë mendoj se kjo kurajo vjen si rrjedhojë e veprimeve të Departamentit të Shtetit. Është shqetësuese aq më shumë kur Amerika e di se Serbia është armik i Perëndimit, armik ky i konfirmuar haptazi, i cili shkon në përvjetoret e Kremlinit dhe Pekinit, pra thjeshtë aty ku bëhen kërcënimet ndaj Perëndimit. Ai është pjesëtar i tyre dhe këta megjithatë e favorizojnë dhe e përkdhelin. Kjo nuk është në rregull dhe është e dëmshme”, u shpreh Bajraliu.

“Edhe Brukseli edhe Washingtoni do duhej ta ndryshonin politikën në dobi të kuptimit të realitetit që shqiptarët janë aleat strategjik në Ballkan ndaj Perëndimit, ndërsa të tjerët janë me ortodoksinë lindore dhe me ata që dihet: Kinë, Rusi, Indi e të tjerë”, përfundoi ai.

Moment i vështirë për Kosovën në arenën ndërkombëtare

Ndërkohë njohësi i zhvillimeve politike Agon Maliqi vlerëson se Kosova ndodhet në momentin e saj më të vështirë në arenën ndërkombëtare dhe se ka marrëdhënie të ngrira me Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kosova ndodhet në momentin e  saj më të vështirën në arenën ndërkombëtare. Ka marrëdhënie të ngrirë me BE për shkak të masave kufizuese. Deklarata nga ambasada sinjalizon njëlloj acarimi mes marrëdhënieve. Edhe në rajon marrëdhëniet nuk janë më të mirë. Përfshirë edhe me Tiranën, le ta quajmë një “luftë e flotë”. Duke pasur parasysh sfidat dhe shqetësimet e sigurisë që ekzistojnë kjo e bën edhe më të brishtë shtetin e Kosovës”, ka thënë ai.

Më tej shtoi se vendi është pa institucione dhe se sipas tij Kurti duhet të pranojë koalicionin qeverisës.

“Alternative e vetme është që ky Kuvend në momentin që konstituohet që pritet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, momentin që Kurti merr mandatin për të formuar qeverinë, atëherë fillon ora. Ose do kemi qeveri ku duhet të bashkëqeverisë me dikë…Duhet të jetë me një parti të madhe që mund të prodhojë njëlloj shumice. Por për momentin duket sikur zgjedhjet e parakohshme duket sikur janë opsioni më i mundshëm”, përfundoi ai.

Kujtojmë se në qershor 2023, në veri të Kosovës u zhvilluan tensione të rënda ndërmjet komunitetit serb lokal dhe autoriteteve të Kosovës, pas ndërhyrjeve për vendosjen e kryetarëve të zgjedhur në katër komuna me shumicë serbe.

Autoritetet evropiane vunë në dukje mungesën e bashkëpunimit nga Kosova për përkuljen e situatës.

Si pasojë e kësaj Këshilli i BE-së miratoi më 28 qershor 2023 masa të përkohshme dhe të kthyeshme ndaj Kosovës, të cilat edhe sot mbeten në fuqi. / Gazeta Enigma.

Related Articles