Maskë për mbrojtje nga COVID-i, apo frikë nga gjoba – flasin qytetarët

Maskë për mbrojtje nga COVID-i, apo frikë nga gjoba – flasin qytetarët

Ka më shumë se dy javë që kur në Kosovë numri i të vdekurve dhe të infektuarve me COVID-19 është rritur dukshëm, shkruan Gazeta “Enigma”.

Qeveria e Kosovës për mos përhapjen e këtij virusi ka marrë masa të reja, ku njëra ndër to është edhe respektimi i ligjit anti-COVID.

Por, pavarësisht kësaj, shumë qytetarë nuk po e zbatojnë këtë ligj, vetëm në 24 orët e fundit, Policia e Kosovës ka shqiptuar numër të madh të gjobave.

Dy mijë e 794 qytetarë janë dënuar nga Policia e Kosovës vetëm për 24 orë.

Raporti i Policisë së Kosovës gjatë 24 orëve të fundit, gjobat për mosrespektim të ligjit COVID-19

Qytetarët flasin për Gazetën Enigma, vendosja e maskës për mbrojtje nga COVID-19 apo vetëm për shkak te gjobave nga Policia e Kosovës

Alisa Emini, qytetare nga Gjilani në një përgjigje për Gazetën ‘Enigma’ ka thënë se nëse nuk shmanget kontakti fizik, maska nuk luan asnjë rol.

“Vetëm sa mos mem denu policia, sepse nuk mendoj se maska na mbron kur jemi vetëm, e njëkohësisht nuk shmangim kontaktin  fizik”, ka thënë Emini.

Albulena Havolli Binaku, qytetare nga Gjakova ka thënë për Enigmën se maska është obligim dhe duhet ta bartim për mbrojtje.

“Maskën e barti për me mbrojt veten dhe të tjerët. Duhet të gjithë të mbrohemi që të mos ketë raste të shumta pozitive nga koronavirusi, dhe të mos kemi vdekje, andaj të gjithë të respektojmë masat antiCOVID, të respektojmë vetën dhe të tjerët” ka thënë Havolli-Binaku.

Lumturije Jashari, qytetare nga Ferizaj në një përgjigje për Gazetën Enigma ka thënë se maskën e bart vetëm për shkak të gjobave për asnjë arsye tjetër.

“Vetëm për shkak të gjobave e vendos maskën edhe atë vetëm në rastet që shoh se ka policë, përndryshe nuk besoj aspak që maska na mbron në ambiente ku punojmë ose dalim për kafe. Ka aq shumë njerëz aq shumë kontakte, ku për mendimin tim maska nuk kryen punë aspak”, ka thënë Jashari.

Muhabere Sadiku, qytetare nga Gjilani në një prononcim për Enigmën ka thënë se maska nuk mbron aspak kur shumicën e gjërave tjera nuk i ndalim, atëherë maska nuk ka asnjë efekt.

“Maskën e barti vetëm që të mos gjobitem nga Policia e Kosovës, unë mendoj se maska nuk na mbron asgjë kur ne nuk i ndalim kontaktet dhe punën me njerëzit e tjerë, atëherë ku mbetet efekti i maskës. Me një fjalë maskën e vendosi vetëm që mos të dënohem për asgjë tjetër”, ka theksuar Sadiku.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Policia e Kosovës në mënyrë që të monitorojë zbatimin a masave antiCOVID, po punon me orar të zgjatur nga 12 orë, ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ai në një konferencë për medie shtoi se në fokus do të kenë inspektimin e ambienteve të mbyllura.

“Policia ka kaluar në orar 12 orësh për mbikëqyrje rigoroze të masave të vendosura nga Qeveria”, ka thënë ai.

Njëherit, Sveçla ka theksuar se “Policia do të bëjë kontrollin e qytetarëve që janë të infektuar të qëndrojnë të vetizoluar dhe tu vetëpërmbahen atyre”.

Tutje ai ka bërë me dije se Policia e Kosovës ka shqiptuar 112 mijë gjoba nga janari i këtij viti për mosrespektim të masave antiCOVID.

Related Articles