“Mbështetja e Kosovës në organizatat ndërkombëtare është objektiv i Shqipërisë”

“Mbështetja e Kosovës në organizatat ndërkombëtare është objektiv i Shqipërisë”
Ministrja e Jashtme dhe Diasporës, Olta Xhaçka, gjatë fjalës së saj në Komisionin për Politikën e Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë ka bërë të ditur edhe për mbledhja e përbashkët e dy qeverive që do të mbahet në fund të nëntorit në Durrës.

Një ndër objektivat e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë është edhe forcimi i marrëdhënieve me vendet e rajonit, si dhe mbështetja e Kosovës në organizatat rajonale e ndërkombëtare. Ndërsa nisja e negociatave për anëtarësimin në BE dhe përfaqësimi me sukses në Këshillin e Sigurimit të OKB-së do të jetë objektivi kryesor i Qeverisë Rama për vitin 2022.

Kështu bëri me dije ministrja e Jashtme dhe Diasporës, Olta Xhaçka, gjatë fjalës së saj në Komisionin për Politikën e Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë, ku u shqyrtua dhe më pas u miratua në parim projektligji “Për buxhetin e vitit 2022”.

Ministrja prezantoi objektivat për vitin 2022, ku theksoi se projektbuxheti do të mundësojë zhvillimin e Konferencës së parë Ndërqeveritare, zbatimin e marrëveshjes së stabilizim-asociimit mes Shqipërisë dhe BE-së, si dhe forcimin e kapaciteteve institucionale dhe menaxhimin e asistencës financiare të BE-së.

“Objektivi i dytë madhor është zhvillimi me sukses i mandatit në Këshillin e Sigurimit. Përfaqësimi në Këshillin e Sigurimit kërkon alokim të fondeve të posaçme shtesë në buxhetin e MEPJ-së. Objektivi i tretë është forcimi i marrëdhënieve me vendet e rajonit. Shqipëria, mbështetëse e aktivitetit të Kosovës në organizatat rajonale e ndërkombëtare. Vëmendje të veçantë do të ketë edhe për marrëdhëniet me Italinë, Greqinë dhe Turqinë. Fokus është edhe bashkëpunimi dy dhe shumëpalësh me Maqedoninë e Veriut”, tha ministrja Xhaçka.

Xhaçka shtoi se Ministria e Jashtme do të jetë e angazhuar për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.

“Qasja ndaj diasporës do të bëhet edhe më qendrore për Politikën e Jashtme. Mbetemi të angazhuar që të zhvillojmë dialog të qëndrueshëm në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve dhe besoj se kjo shkrirje do të sjellë vetëm risi dhe gjëra pozitive”, u shpreh Xhaçka.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme theksoi në Komisionin për Politikë të Jashtme se Qeveria është gati për mbledhjen e 7 të përbashkët me Qeverinë e Kosovës. Mbledhja e përbashkët do të mbahet javën e fundit të nëntorit në Durrës. Kjo është mbledhja e shtatë e përbashkët në radhë, pas asaj të Prizrenit të vitit 2014.

“Mbledhja mes dy qeverive Shqipëri-Kosovë, që do të bëhet në javën e fundit të nëntorit në Javën e Flamurit, e 7 në radhë e përbashkët, e që do të bëhet një rikalim i të gjitha marrëveshjeve të kaluara deri tani, bëhet fjalë për 86 marrëveshje të lidhura gjatë takimeve të përbashkëta që janë zhvilluar deri tani. Qëllimi është të çojmë para këtë proces për t’i dhënë një shtysë të re të gjitha marrëveshjeve dhe për të identifikuar fusha të reja bashkëpunimi”, bëri të ditur ministrja Xhaçka.

Ajo ka thënë se në mbledhjen e dy qeverive do të preken fushat e ekonomisë, diplomacisë, drejtësisë, shkencës e kulturës, duke theksuar se dy ministritë e jashtme, ajo e Shqipërisë dhe Kosovës, kanë vendosur krijimin e një grupi pune të përbashkët për zbatimin e marrëveshjeve në fuqi dhe përpilimin e planeve për marrëveshjet në të ardhmen.

Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe ajo e Republikës së Kosovës mbledhjen e parë të përbashkët e kanë zhvilluar me 11 janar të vitit 2014 në qytetin e Prizrenit, ndërsa mbledhja e fundit është mbajtur me 2 tetor të vitit 2020 në Tiranë. Në mbledhjen e fundit, që u mbajt në fillim të tetorit të vitit 2020 në Tiranë, qeveritë e dy vendeve nënshkruan 13 marrëveshje dhe protokolle të bashkëpunimit dypalësh./Gazeta “Enigma”/

Related Articles