“Në maj morëm informacione” – Krejt çka tha Osmani dje për veprimet e Serbisë në kufi me Kosovën

“Në maj morëm informacione” – Krejt çka tha Osmani dje për veprimet e Serbisë në kufi me Kosovën

Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar të enjten se në fund të muajit maj ka marrë informacione të reja lidhur me planet e Serbisë për përshkallëzim, raporton Gazeta Enigma.

Deklarata e saj vjen pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, disa herë gjatë javëve të fundit ka deklaruar se ka ndalur një luftë të mundshme mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo bëri me dije se këto informata i kishte ndarë menjëherë me vendet aleate duke kërkuar mbështetje për të ndalur përshkallëzimin e planifikuar nga ana e Serbisë.

“Me konkretisht në fund të muajit maj kemi marrë informacione të reja specifike lidhur me veprimet e Serbisë në kufi me Kosovën. Menjëherë kam pas takime me institucionet e sigurisë që më raportojnë si president. Menjëherë kam ndarë këto informata me aleatët tanë të sigurisë duke kërkuar mbështetjen e tyre për ta ndalur përshkallëzimin e planifikuar nga ana e Serbisë”, ka deklaruar Osmani.

Mirëpo, Osmani ka siguruar qytetarët se s’ka vend për shqetësim dhe panik.

“I siguroj qytetarët se s’ka arsye as për shqetësim e as për panik. Kërcënimet nga Serbia janë të vazhdueshme por institucionet kanë gjithçka nën kontroll, në bashkëpunim me aleatët”, ka deklaruar Osmani.

Osmani ka thënë se një pjesë e informacioneve janë të klasifikuara, por që ato janë ndarë me aleatët për të ndalur përshkallëzimin e sigurisë.

Mes tjerash, presidentja Osmani ka thënë se është habitur kur ka dëgjuar raportime se qytetarët e Kosovës nuk kanë qenë të informuar më parë për rreziqet nga Serbia, meqë, sipas saj, “kjo çështje është trajtuar në dhjetëra deklarata të Presidencës së Kosovës” dhe që për rrezikun e majit ka folur edhe ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Serbia i ka hedhur poshtë deklaratat e Osmanit ditë më parë, mirëpo presidentja e Kosovës i ka quajtur ato “pjesë të propagandës së tyre të vazhdueshme”.

“I siguroj qytetarët e Kosovës se nuk ka arsye, as për shqetësim dhe as për panik, sepse institucionet tona janë në krye të detyrës për mbrojtjen e kufijve dhe të sigurisë të të gjithë qytetarëve tanë. Kërcënimet nga Serbia janë të vazhdueshme, megjithatë institucionet tona kanë gjithçka në kontroll”.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë përmes një postimi në X, se presidentja Osmani “nuk ka thënë asgjë me kuptim, përveç sulmeve tjera ndaj Beogradit”.

Kur është pyetur për akuzat e Richard Grenellit, të dërguarit të presidentit amerikan për Misione të Posaçme, se Osmani po manipulon me deklaratat e Trumpit, presidentja ka thënë se ajo vetëm e ka falënderuar presidentin Trump për rolin e tij në botë, në përgjithësi, dhe në rajonin e Ballkanit, për ruajtjen e paqes dhe sigurisë.

“Unë jam përgjigjur në pyetje dhe i ftoj vetë qytetarët e Kosovës që t’i dëgjojnë ato deklarata për të cilat unë jam pyetur. Ndër të tjera është deklarata e datës 25 qershor 2025, mund t’i dëgjoni vetë. Thuhet se ‘në javën e fundit u kujdesëm për Indinë e Pakistanin, Kosovën dhe Serbinë’”, ka deklaruar Osmani duke cituar deklarimet e Trumpit në javët e fundit. / Gazeta Enigma.


Related Articles