Kosova fushatën për vaksinimin anti-COVID e nisi e fundit në rajon, përderisa tashmë ka administruar të paktën një vaksinë për kokë banori.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë deri tani janë administruar 1 milion e 820 mijë vaksina, kështu duke kaluar Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Bosnje e Hercegovinën dhe Bullgarinë për nga shkalla e vaksinimit.
Edhe një vit pas fillimit të vaksinimit anti-COVID në Kosovë, ku sfidë sipas MSh-së po del të jetë vaksinimi me dozën e tretë, ku vetëm rreth 7 për qind e popullsisë mbi 12 vjeç janë vaksinuar.
Kryetari i Shoqatës së Infektologëve të Kosovës, Hamdi Ramdani, në një përgjigje për Gazetën Enigma ka theksuar se shifrat e vaksinimit anti-COVID në Kosovë janë shqetësuese.
“Është evidente se në vendin tonë tash ditët e fundit ka rënie të madhe të qytetarëve për të marrë vaksinim kundër COVID-19, ku ky numër është tepër shqetësues”, ka thënë Ramadani.
Tutje ai ka shtuar se “ më 28 mars janë dhënë vetëm 15 doza të vaksinës që tregon se sa brengosëse është kjo gjë”.
Ardiana Jaha qytetare nga Vushtrria në një përgjigje për Gazetën Enigma ka thënë se nuk e ka marrë dozën e tretë të vaksinës anti-COVID dhe as nuk ka ndërmend ta marrë.
“Dozën e tretë nuk e kom marrë edhe se kom ndërmend me e marrë sepse asgjë nuk na ka lehtësuar. Jo që i kanë lehtësuar të gjitha masat por me tregu të drejtën i kom ra pishman edhe për të dytën që e kom marrë. Kush nuk po pyet ma për vaksina dhe as nuk po e lypin në asnjë vend”, ka thënë Jaha për Enigmën.
Edhe Leonora Leci qytetare nga Kamenica në një prononcim për Gazetën Enigma ka thënë se nuk e ka marrë dozën e tretë dhe s’do ta marrë.
“Nuk jam vaksinuar me dozën e tretë sepse si e more si nuk e more njejtë, edhe ata që kanë marrë dozën e tretë dhe prapë janë infektuar me COVID-19”, ka deklaruar Leci për Enigmën.
Kryetari i Shoqatës së Infektologëve ka bërë thirrje për organet përkatëse që të bëjnë më shumë për sensibilizimin e marrjes së dozës së tretë.
“Andaj duhet që organet përkatëse shëndetësore si dhe ato qeveritare e po ashtu edhe mediat televizive të bëjnë më shumë në këtë drejtim në sensibilizimin e marrjes së vaksinës së tretë nga një anë me promovime të shumta”, ka deklaruar Ramadani.
Duke pasur parasysh edhe variantin e ri të Omicron BA.2 që është 30 përqind më i përhapur se Omicron, sipas Ramdanit edhe qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm për rrezikun dhe ti kthehen qendrave të vaksinimit.
“Edhe tek qytetarët duhet të apelohet që të kthehen në pikat e vsksinimit kudo që janë të marrin vaksinën kundër pandemisë, sepse ende jemi në kohë pandemie me COVID-19, dhe kur ja shtojmë edhe variantin e ri BA.2 te Omicron BA.2 që po paraqitet në shumë vende të botës si SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Franca, Gjermania e shumë vende tjera të Evropës”, ka pohuar ai.
Tutje Ramadani ka theksuar se “Varianti i ri BA.1 dhe BA.2 është edhe më shumë transmetues sasa Omicron, ku afër 30 përqind është më infektues, duhet të vazhdohet fushata për vaksinim dhe imunizim të qytetarëve të të gjitha moshave me dozën e tretë të vaksinës anti-COVID”.
Sipas tij në ditët në vazhdim mund të ketë valë të re të infeksionit nga ky variant.
“Ndryshe në javët që vijnë mund të paraqitet edhe një infeksion me këtë variant të ri BA.2 Omicron siç po ndodh në shumë vende në botë që mund të ketë dhe infeksione të përmasave të vogla ose të moderuara”, ka thënë ai për Enigmën.
Administrimi i dozës së tretë në Kosovë sipas Ramdanit është e pa mjaftueshme në rast të paraqitjes së një vale të re.
“Afërsisht janë 100 mijë qytetar që kanë marr dozën e tretë, e kjo është shumë e vogël dhe e pamjaftueshme për të parandaluar përhapjen edhe të një vale në javët apo muajt në vijim”, ka përfunduar Ramadani.
Kujtojmë se vaksinimi te qytetarët mbi 18 vjeçe në Kosovë ka arritur në 70 për qind me një dozë dhe 63.4 për qind me dy doza.
Te popullata mbi 12 vjeçe, janë vaksinuar 62.7 për qind me një dozë dhe 57.1 për qind me dy doza.
Që nga paraqitja e rasteve të para me COVID më 15 mars të vitit 2020, deri tani janë infektuar 227 mijë e 377 qytetarë, kanë vdekur 3,132 dhe janë shëruar 223 mijë e 648 persona.
Aktualisht në stok janë 900.000 vaksina Pffizer kundër COVID-19./Gazeta Enigma/