Tri mediet prestigjioze AP, BBC e Reuters kanë shkruar për procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, respektivisht ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi.
Ato shkruan për deklarimin e Thaçit si i pafajshëm ndaj akuzave që rëndojnë mbi të për krime lufte.
“Akuzat datojnë nga lufta e pavarësisë së Kosovës kundër Serbisë në vitet 1998-99, në të cilën vdiqën më shumë se 10,000. Zoti Thaçi ishte bashkëthemelues i një grupi që luftonte për pavarësi dhe konsiderohet si hero në Kosovë”, shkruan BBC.
“Unë e kuptoj aktakuzën dhe jam plotësisht i pafajshëm”, cituan këto medie të ketë thënë Thaçi në gjyqin e sotëm.
AP e nisi artikullin me deklaratën e prokurorit Whiting se askush nuk është mbi ligjin.
Këto medie shkruan edhe për UÇK-në, luftën në Kosovë, si dhe për protestën e djeshme në Prishtinë dhe atë të sotmen para Gjykatës Speciale në Hagë.
“Rasti ka nxitur një valë mbështetjeje nga i gjithë spektri politik në Kosovë. Të dielën, mijëra njerëz dolën në rrugë për të treguar mbështetjen e tyre për të pandehurit. Shumë kosovarë e konsiderojnë gjykatën me bazë në Holandë një padrejtësi dhe e shohin atë si një përpjekje për të rishkruar historinë e luftës së tyre për pavarësi. Me hapjen e gjyqit, qindra mbështetës të Thaçit dhe të pandehurve të tjerë u mblodhën pranë stacionit qendror hekurudhor të Hagës. Shumë valëvitën flamuj dhe pankarta, duke përfshirë një ku shkruhej: “Mos i barazoni viktimat me kriminelët!” Një tjetër shpalli: “UÇK-ja luftoi për liri””, shkruan AP.
Më poshtë i gjeni artikujt e plotë të këtyre medieve për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
https://apnews.com/article/kosovo-war-crimes-thaci-court-trial-2ce8faa8852105206fc7283fda7315d4