Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është turpëruar nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën, para samitit të BE-së në Slloveni, pasi ai tha se është padrejtësi e madhe që 5 shtete të BE-së nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, kështu ka raportuar një medium britanik.
Mediumi britanik, Express.co.uk, shkroi se samiti mes BE-së e Ballkanit Perëndimor do të mbahet të mërkurën në Slloveni, shtet që e ka presidencën 6-mujore të Këshillit të Bashkimit Evropian.
Diskutimet do të zhvillohen rreth investimeve rajonale, sigurisë dhe rimëkëmbjes së përbashkët ekonomike nga pandemia e koronavirusit.
Faqja britanike e lajmeve raportoi se delegatët e këtij samiti do ta vlerësojnë progresin e gjashtë shteteve ballkanike – Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë Veriore, Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës – drejt anëtarësimit në BE.
EU summit LIVE: VDL shamed as Kosovo PM calls out bloc’s ‘great injustice’https://t.co/2EPPMFwYRv pic.twitter.com/IZvUKXv7qU— Daily Express (@Daily_Express) October 6, 2021
Ndryshe, për deklaratën e Kryeministrit Kurti më herët raportoi edhe agjencia e njohur e lajmeve, “Reuters”.
“Ka qenë një padrejtësi e madhe, një mungesë e drejtësisë ndaj qytetarëve të vendit tonë”, tha Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kur arriti në samit, duke theksuar se pesë shtete të BE-së ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës nga Serbia, shkroi Reuters.
“Unë jam për mungesë të frikës në anën e BE-së dhe për mungesë të hidhërimit në anën e Ballkanit. Ende kam shpresë”, shtoi ai.