Katër dhjetori i vitit 1912 shënoi themelimin Forcave të Armatosura në historinë e shtetit dhe kombit shqiptar.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se vendimi për themelimin e Ministrisë së Luftës dhe Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, më 4 dhjetor 1912, është dhe mbetet një ndër datat dhe ngjarjet më të mëdha historike, jo vetëm për Shqipërinë Mëmë, por edhe për të gjithë shqiptarët e mbetur jashtë kufijve të saj.
“Për 110 vjet , Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, rrugëtuan me sfidat që shoqëruan realitetin kompleks historik dhe gjeopolitik të rajonit, kontinentit dhe Botës mbarë”, ka shkruar Mehaj.
Mehaj tutje shton se Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë po përmbushin me dinjitet misionin e tyre si shtet anëtar i NATO-s, në betejën e vazhdueshme për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit anembanë Botës.
“Dhe për ne, fakti që Shqipëria është pjesë e NATO-s përbën nder dhe krenari, poaq sa edhe krah të fortë në rrugëtimin e Republikës së Kosovës në proceset integruese në organizatat ndërkombëtare të mbrojtjes dhe sigurisë”.
“Bashkëpunimi ynë tani më, është në nivelet më të larta ndërministrore dhe ndërushtarake”, ka shkruar tutje Mehaj.
Ai ka deklaruar se e ardhmja e forcave e tona qoftë në procesin e integrimeve euroatlantike , qoftë në zhvillimin e avancimin e aftësive e kapaciteteve ushtarake, është natyrshëm i përcaktuar nga niveli i koordinimit dhe sinkronizimit të objektivave tanë.
“Sukseset tuaja si gjithmonë janë edhe suksese tona, prandaj sukseset e përbashkëta do të forcohen edhe më shumë në misione të përbashkëta , përkrah aleatit tonë të pazëvendësueshëm, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve tjerë”.
“Urime Dita e Forcave të Armatosura me kujtimin dhe nderimin për të gjithë bijtë e bijat e kombit tonë që derdhën mund, gjak e djersë për të mundësuar krijimin dhe zhvillimin e shtetit shqiptar këto 110 vite pavarësi”, ka deklaruar në fund Mehaj.