Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel foli për takimin që e pati së bashku me presidentin francez, Emmanuel Macron me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Merkel ka thënë se bisedoi me Kurtin dhe Vuçiqin për zgjidhjen e problemit, duke theksuar se Procesi i Berlinit pati efekt pozitiv në bashkëpunimin rajonal në Ballkan
“Është e vështirë, por ka një përparim të vogël”, u shpreh Merkel.
Kancelarja gjermane tregoi se pjesëmarrësit në samitin BE-Ballkani Perëndimor ranë dakord që vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin Evropës, por ajo tha se nuk e mbështeti dhënien e një date të caktuar këtyre për pranimin e tyre në BE.
“Unë nuk e kam mbështetur idenë për t’ua dhënë vendeve të Ballkanit Perëndimor një datë të caktuar për pranimin e tyre në Bashkimin Evropian”, tha Merkel në samitin BE-Ballkan Perëndimor në Bërdo të Sllovenisë, raporton Reuters.
“Unë me të vërtetë nuk besoj në caktimin e një date, por besoj në përmbushjen e premtimeve tona. Pasi të përmbushen kushtet, pranimi mund të realizohet”, u tha Merkel gazetarëve pas samitit.
Ajo përmendi shembullin e Malit të Zi, i cili ka shumë kapituj të hapur, duke thënë se mund t’i mbyllë ato brenda pak vitesh.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tregoi se me kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel, presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe residentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq folën për Procesin e Berlinit; lëvizjen e lirë dhe njohjen e diplomave.
Ndërkaq Vuçiq, pas takimit e theksoi Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që sipas tij, do të jetë temë diskutimi në takimin e radhës.