Mësimdhënësit e arsimit fillor dhe të mesëm në komunën e Vitisë, janë të vetmit që nuk kanë marrë pagat e muajit shtator në Kosovë, shkruan Gazeta “Enigma”.
Si pasojë e këtij vendimi punëtorët e arsimit nga Komuna e Vitisë nesër nga ora 11:00 pritet të protestojnë para ndërtesës së Qeverisë, tha Jasharaj.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashaj, në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka deklaruar se përveç mësimdhënësve të Komunës së Vitisë pritet që edhe punëtorët e arsimit nga rajonet tjera të solidarizohen me kolegët e tyre.
“Dje isha për vizitë në komunën e Vitisë, ku bashkë edhe me shoqatat e tjera sindikale u takuam edhe me kryetarin Sokol Haliti, i cili dukej i shqetësuar lidhur me gjendjen. Pas diskutimeve ramë dakord që t’i japim kohë edhe sot institucioneve përkatëse për zgjidhjen e kësaj çështje. Derisa nesër nga ora 11:00 parashihet që të mbahet një protestë para Qeverisë nga punëtorët e sektorit të arsimit në Vitisë”, tha Jasharaj.
Tutje Jasharaj i bëri thirrje Qeverisë që të gjejë zgjidhje për pagat e punëtorëve të arsimit në Komunën e Vitisë.
“Pavarësisht gjendjes buxhetore të Vitisë unë iu bëj thirrje që të gjendet zgjidhje në të kundërten nga e hëna kam frikë se do të shkohet me masa sindikale siç është greva, ku pritet që edhe punëtorët e arsimit nga rajonet e tjera të solidarizohen me kolegët e tyre, me format dhe mundësitë që kanë”, shtoi ai.
Kryetari i SBASHK-ut shtoi se “është detyrë e institucioneve që të gjej zgjidhje për ta tejkaluar këtë situatë”. /Gazeta Enigma/