Ministria e Punëve të Brendshme njofton se ka filluar me shpërndarjen e lejeqëndrimeve të para me afat pesëvjeçar për shtetasit e Shqipërisë. Deri më tani lejeqëndrimet kishin kohëzgjatje një vit.
Sipas komunikatës për media, shpërndarjen e lejeqëndrimeve e ka bërë ministri i MPB-së, Xhelal Sveçla.
“Kjo marrëveshje u nënshkrua me vullnetin e përbashkët për sigurimin e një perspektive më të mirë për shtetasit e Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, me qëllim për të thjeshtësuar procedurat dhe lehtësuar jetën e shtetasve të të dy vendeve. Në bazë të marrëveshjes dypalëshe ndërkombëtare me Republikën e Shqipërisë, për lehtësimin e procedurave dhe kushteve për marrjen e lejeqendrimit të përkohshëm e nënshkruar me datë 26.11.2021 në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Elbasan, sot janë shpërndarë lejeqëndrimet e para me afat pesë vjeçar në Republikën e Kosovë”, thuhet në njoftim.
Deri më tani lejeqëndrimi vlente për një vit, ndërsa nga sot kohëzgjatja e tij është pesë vite.
“Me këtë marrëveshje, shtetasit e dy vendeve përfitojnë lejeqëndrimin e përkohshëm me afat pesëvjeçar (deri tani ishte me afat njëvjeçar ku shtetasit duhej të ri aplikonin për çdo vit) dhe kanë lehtësim të theksuar të kritereve për pajisje me lejeqëndrim, me vetëm një dokument udhëtimi dhe deklarim adrese, ulje të theksuar të tarifave të shërbimeve”, thuhet tutje në njoftim.
Ky hap është cilësuar si i rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve drejt përmirësimit të jetës së qytetarëve./Gazeta Enigma/