Kosova nuk e ka siguruar asnjë njohje që nga 4 shtatori i vitit 2020, shkruan Gazeta “Enigma”.
Izraeli është shteti i fundit që e ka njohur Kosovën shtet, që do të thotë se ministrja Donika Gërvalla prej se ka marrë drejtimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk ka siguruar asnjë njohje.
Lidhur me këtë çështje Gazeta “Enigma”, ka kontaktuar me njohësin e çështjeve ndërkombëtare Shqiprim Pula, i cili ka komentuar për stagnimin e njohjeve ndaj Kosovës si shtet që nga viti 2020.
“Itinerari i angazhimeve dhe planifikimeve të takimeve, pritjeve dhe pjesëmarrjeve të MPJ-së, jo gjithë herë varet nga vullneti vetanak i drejtuesve të Ministrisë por edhe i palëve të treta për temat me interes të përbashkët”, tha Pula.
Tutje ai ka shtuar se rezultatet e punëve që janë kryer deri më tani nga MPJ-ja mund të korren edhe më vonë.
Sipas njohësit të çështjeve ndërkombëtare MPJ-ja duhet të bëjë një planifikim më të vrullshëm tek shtetet anëtare të Këshillit të Evropës që të fitohet vullneti politik i tyre për t’ia dhënë votën Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë e cila do të ndihmonte edhe prurjen e njohjeve të reja.
“Po ashtu, dihet që, rezultati i një mori temash nuk vjen menjëherë, andaj rezultatet mund të korren edhe më vonë. Por gjithashtu, duhet bërë të qartë se MPJ-ja duhet një planifikim më të vrullshëm vizitash në veçanti tek shtetet anëtare të Këshillit të Evropës me të vetmin qëllim imediat, që të fitohet vullneti politik i tyre për t’ia dhënë votën Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë duke ndjekur një strategji duke i identifikuar edhe prioritet më vitale që do të ndihmonte edhe prurjet e njohjeve të reja”, ka deklaruar ai.
Pula: Kosova nuk mund t’i marrë njohjet kur ne i duam por kur shtetet janë të gatshme t’a njohin mëvetësinë e Kosovës
“Ka përpjekje për zhvillimin e bashkëpunimit rajonal e ndërkombëtar, gjithashtu ka përpjekje për të përfunduar tranzicionin e konsolidimit të institucioneve për të nxitë marrëdhënie të harmonizuara edhe të zhvillojë gradualisht mirëqenien ekonomike të qytetarëve të vendit”, ka deklaruar Pula.
Mungesa e njohjeve të reja sipas Pulës është që nga themelimi i shërbimit të jashtëm të Kosovës, ku asgjë nuk ka qenë si është dashur të jetë, ka pasur edhe mangësi të shumta që kanë ndikuar në një rezultat të tillë që të mos kemi prurje të njohjeve të reja.
Sipas tij ka munguar edhe plani lobues nga personeli diplomatik, gjithashtu tani e sa vite nuk kemi as edhe një analizë mbi mangësitë dhe raportimin cilësor.
Pra, të gjitha këto bashkë kanë ndikuar që të kemi ngecje në prurjen e njohjeve të reja për shtetin tonë.
“Qysh kur është themeluar shërbimi i jashtëm i Kosovës, ka pasur mangësi të theksuar në intelektualitetin e shumicës së diplomatëve tanë për shkak të ndërhyrjeve direkte të politikës, e si rezultat kemi pasur fare pak rezultate në prurje të njohjeve të reja”, ka theksuar Pula për “Enigmën”.
“Madje, ka munguar hartimi dhe monitorimi i një plani lobues, një planifikimi të mirëfilltë e koherent për forcimin e subjektivitetit të shtetësisë nga personeli diplomatik. Për fat të keq, ndër vitesh nuk ka pasur analizë mbi mangësitë dhe raportim cilësor, prandaj kemi pasur ngecje në njohje të reja”, tha ai.
Çka duhet të bëjë Ministria e Punëve të Jashtme që të sjellin njohje të reja?
“Se çfarë duhet të bëjmë në këtë fazë është që MPJ dhe institucionet tjera t’i koordinojnë dhe udhëzojnë personelin përgjegjës rreth një analize mbi mangësitë dhe identifikimin e prioriteteve duke marrë në konsideratë përgjegjësitë institucionale në kuadër të strategjive ekzistuese por edhe atyre të reja ndërministrore për të sjellë rezultate, përkatësisht njohje të reja”, tha Pula.
Institucionet e Kosovës dhe procesi i dialogut Sipas Pulës, dialogu është proces i pandalshëm në proceset anëtarësuese të Kosovës.
“Procesi i dialogimit është proces i pandalshëm, dhe natyrisht ka rëndësi substanciale në proceset anëtarësuese të Kosovës. Kosova politike duhet që në kuadër të procesit të dialogut t’i përmbyll shumë tema të mbetura hapur, e që qëllim përfundimtar ka paqen e përhershme në rajon”, ka përfunduar ai.
Në lidhje me këtë çështje Gazeta “Enigma” ka kontaktuar edhe me Visar Xanin, analist politik, i cili ka deklaruar se njohjet e reja nuk po vijnë si rezultat i një procesi maratonë të dialogut me Serbinë.
“Çështja e njohjeve të reja të pavarësisë së vendit është aktualisht në një fazë tjetër. E gjithë kjo është rezultat i një procesi dialogu maratonë me Serbinë. duket se shumë vende nuk po ndryshojnë pozicionin e tyre derisa ky të jetë vendimi përfundimtar i kësaj maratone dialoguese”, ka deklaruar ai.
Xani: Marrëveshjet e zbatueshme dhe të detyrueshme me Serbinë hapin rrugë për njohje të reja
“Prandaj, për Kosovën është me rëndësi të madhe që të ketë një marrëveshje të zbatueshme dhe të detyrueshme me Serbinë, dhe pastaj ajo marrëveshje hap rrugën për të fituar njohje të reja”, tha Xani për “Enigmën”.
Sipas tij kompromisi ne dialog do ta hapte rrugën njohje të reja.
“Deri atëherë, duket se intensiteti i aleatëve për të lobuar është më i vogël dhe kërkohet një kompromis në dialog, që më pas hap rrugën për lobim të ri dhe fitim të njohjeve”, ka deklaruar analisti politik.
Tutje ai ka theksuar se në të tilla situata jo vetëm Donika Gërvalla por edhe diplomati më i spikatur në botë të ishte do ta kishte të vështir të siguronte njohje të reja.
“Në situata të tilla, jo vetëm Donika Gërvalla, por edhe nëse do të ishte diplomati më i spikatur në botë, do të ishte e vështirë të fitonte njohje të reja. Pra, për projektet e mëdha të diplomacisë, Kosova është e vogël dhe nëse nuk kemi aleatë që na mundësojnë zhvillimin e diplomacisë, mbetemi vetëm në aktivitete të parëndësishme diplomatike siç po duket që jemi tani”, ka përfunduar ai.
Në lidhje punën e Gërvallës ka reaguar edhe shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, i cili gjatë një konference për media tha se diagnoza e politikës së jashtme të Kosovës sot është e thjeshtë, tri vjet asnjë njohje.
Sipas Tahirit “njëri nga skandalet e kësaj Qeverie ka të bëjë me politikën e jashtme, diagnoza e politikës së jashtme të Kosovës sot është e thjeshtë, tre vjet asnjë njohje, asnjë anëtarësim në asnjë organizata ndërkombëtare, rroftë Gani Jakupi, po i del rroga”.
Kosova në pesë vjetët e fundit ka pranuar katër njohje ndërkombëtare.
Nga shpallja e pavarësisë e deri më tani Kosova është njohur nga 117 shtete në total.
Kujtojmë se gati gjysma prej tyre e kanë njohur në vitin e shpalljes së pavarësisë, më 2008.
Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosovën nuk e njeh ende Serbia, e cila me Kushtetutë vazhdon ta konsiderojë si pjesë të veten dhe as Bosnje e Hercegovina.
Ndërsa nga vendet e Bashkimit Evropian, Kosova nuk e ka njohjen e Greqisë, Rumanisë, Spanjës, Sllovakisë dhe Qipros. /GAZETA ENIGMA/