Ministrja Haxhiu ftohet nga Prokuroria Speciale për rastin Dehari

Ministrja Haxhiu ftohet nga Prokuroria Speciale për rastin Dehari

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar që është ftuar nga Prokuroria Speciale në lidhje me rastin e Astrit Deharit.

“Prokurori Special, Afrim Shefkiu, paska kërkuar nga unë që të përgjigjem se kush janë vrasësit e Astrit Deharit! E gjithë kjo bazuar në një status timin në rrjetet sociale, në përvjetorin e Astrit Deharit”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

“Është një gjë e thjesht që duhet ta dijë një prokuror. Ministri i Drejtësisë nuk mund të jetë prokuror e as gjyqtar. Unë nuk mund t’i marrë përgjegjësitë e tij. Lëndën e Astrit Deharit, prokurori Afrim Shefiku e ka që nga viti 2019 dhe ende nuk ka asnjë rezultat në zbardhjen e këtij rasti. Ai është përgjegjës për t’i treguar familjes dhe qytetarëve se kush janë vrasësit!”

“Unë natyrisht do të jap dëshminë time lidhur me këtë. Prokurori Shefiku dhe eprori i tij, që nuk mund të na heshtin, në kërkesën tonë për drejtësi. Bashkëngjitur gjeni Autorizimin”, ka shkruar ajo duke bashkëngjitur fotografitë e Autorizimit.

Haxhiu i referohet postimit të saj në përvjetorin e vdekjes së Deharit ku kishte thënë që Dehari është vrarë.

“Krimi ndaj Astrit Deharit, përfshinë një sërë veprimesh për të cilat ende askush nuk dha përgjegjësi. I paraburgosur, pa aktakuzë, pa gjykim, pa dënim, për 68 ditë në burg, Astrit Dehari nuk u mor asnjëherë në pyetje”, kishte shkruar Haxhiu më 5 nëntor.

“Në burgun e Prizrenit, më 5 nëntor, Astrit Dehari u vra në rrethana të sqaruara nga ekspertë të mjekësisë ligjore dhe Raporti i Institutit Zviceran nga Lozana, por të pa sqaruara nga autoritetet e drejtësisë”.

“Siҫ dihet, një sërë anomalish institucionale vërehen menjëherë pas gjetjes së trupit të Astrit Deharit, që nga vonesa e ndihmës mjekësore, tek nxitimi i deklarimeve të Kryepolicit të rajonit të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, e po ashtu Kryeprokurorit i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha”.
Haxhiu kishte shtuar në postim që janë zhvilluar hetime por edhe përpjekje për ta fshehur atë q ajo e quajti krim.

“Njëri konstatonte se Astriti vdiq nga mbi doza e medikamenteve, kurse tjetri e cilësoi si vetëvrasje ende pa nisur asnjë hetim”.

“Hetime të ndryshme janë zhvilluar, sikurse edhe përpjekjet për ta fshehur këtë krim. Provat ekzistojnë dhe gjithçka që duhet është vullneti i policisë dhe prokurorisë për ta zbardhur deri në fund këtë rast”.

“Ministria e Drejtësisë ka bërë gjithçka që lejojnë kompetencat e saj. I mbetet institucioneve të drejtësisë të veprojnë dhe të sjellin rezultate ndaj këtij krimi ende të errësuar”.

Related Articles