Ministrja Haxhiu: Sot zyrtarisht filloi procesi i Vetingut

Ministrja Haxhiu: Sot zyrtarisht filloi procesi i Vetingut

Gjatë ditës së sotme u mbajt takimi i parë i Grupit Punues për hartimin e koncept-dokumentit për procesin e vetingut, ku të pranishëm ishin anëtarët e Grupit Punues, njëkohësisht përfaqësuesit nga institucionet e drejtësisë- Këshilli Gjyqësor, Këshilli Prokurorial, institucionet tjera, organizatat e shoqërive civile dhe ekspertë të pavarur të cilët kanë shprehur paraprakisht gatishmërinë për të kontribuar në këtë drejtim, raporton Gazeta “Enigma”.

Me këtë rast Ministrja Haxhiu, potencoi se gjyqësori është komponentë e rëndësishme e sundimit të ligjit të çdo shteti, dhe se pamundësia e sistemit gjyqësor dhe prokurorial të veprojë në mënyrë të drejtë dhe të barabartë ndaj të gjithë qytetarëve, shpie tek etablimi i kulturës së mosndëshkimit, që shtyp zërin e qytetarëve. E kjo është dukuri që ne, si Qeveri e Republikës së Kosovës nuk mund të lejojmë të ndodhë.

“Fatkeqësisht, besimi i publikut në sistemin gjyqësor dhe prokurorial nuk është dëshmuar të jetë në nivelin e pritshmërive. Kjo nuk rëndon vetëm sistemin gjyqësor e prokurorial, por edhe vetë Qeverinë e Republikës së Kosovës e cila është e përkushtuar, me tërë fuqinë e saj, ndaj realizimit të plotë të të drejtave të qytetarëve, ashtu si u janë garantuar me Kushtetutë dhe me ligjet e Republikës së Kosovës”, shtoi ministrja Haxhiu.

Këtë takim, ministrja e cilësoi si simbol të nisjes së ndryshimeve pozitive brenda sistemit të drejtësisë, dhe inkurajoi të gjithë që të përkushtohemi me tërë kapacitetet që të lëmë trashëgimi të duhur atyre që vijnë pas nesh, e po ashtu të kthejmë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

Tutje në takim, është bërë prezantimi i strukturës përmbajtjesore të koncept-dokumentit dhe gjithashtu planit fillestar të punës nga z. Lulzim Beqiri  – Kryesues i Grupit Punues, e cila pritët të përfundohet brenda 4 muajve.

Në anën tjetër të pranishmit në takim, përfaqësues nga institucionet dhe shoqëria civile, shprehen vullnetin dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar dhe kontribuuar në këtë proces të rëndësishëm reformues në sistemin e drejtësisë./ Gazeta Enigma

Related Articles