Kryetari i Partisë Social Demokrate (PSD), Dardan Molliqaj, në një intervistë për Gazetën Enigma, ka folur për zhvillimet e fundit në vend, ku mes tjerash ka adresuar kritika të shumta kundrejt, ish aleatit të tij kryesor, Albin Kurtit, shkruan Gazeta Enigma.
Duke folur rreth arritjeve në aspektin diplomatik, Molliqaj theksoi se qasja e dobët e Qeverisë Kurti në këtë aspekt, ka bërë që vendi të gjendet nën sanksione të dhëna nga BE-ja. Ai tha se pala kosovare ka qasje shkatërruese në negociata, dhe se nuk po bën hapa drejt njohjes së përhershme.
“Aktualisht Kosova në aspektin diplomatik qëndron shumë keq, shkaku i taktizimeve të pamenduara dhe populiste të Kurtit karshi situatës së veri të vendit. Ne e kemi parë këtë qeveri duke shkaktuar tensione etnike atje dhe më pas duke u tërhequr pas presionit ndërkombëtar. Në fund rezultati ka qenë, Kosova edhe palë destruktive në negociata, dhe duke bërë koncesione të cilat nuk na afrojnë drejt njohjes e paqes së përhershme. Mos të harrojmë, si pasojë e kësaj qasje vendi sot gjendet në sanksione ndërkombëtare”, potencoi i pari i PSD-së.
Duke folur rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Molliqaj theksoi se situata e krijuar për këtë proces është rezultati përfundimtar i një dështimi të qeverisë Kurti kundrejt Serbisë. Sipas tij, kjo marrëveshje i jep Serbisë autonomi brenda Kosovës.
“Tension për koncesion” dhe Tension për Asociacion” janë dy sloganet që PSD-ja e ka përshkruar krejt të vërtetën e kësaj qeverie në lëmin ndërkombëtar. Asociacioni i Komunave me shumicë serbe është rezultati i krejt dështimit të kësaj qeverie në raport me Serbinë, e kjo Marrëveshje e bën Serbinë autonome në Kosovë. E ndanë shoqërinë në baza etnike serbet në një anë dhe shqiptarët dhe pakicat tjera në një anë” tha ai.
Kryetari i PSD-së, Molliqaj, Asociacionin e sheh si një ndasi etnike përbrenda Kosovës, ku prej së cilës mendon se do ngjallet një konflikt etnik, i cili sipas tij, i konvenon Kurtit dhe Vuciqit.
“Ky barrikadim përveç tjerash është edhe potencial enorm për konflikt të ardhshëm etnik mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë. Tensioni i konvenon edhe Kurtit në Prishtinë dhe Vuqiqit në Serbi. Duke e pasur parasysh këtë dështim të Qeverisë Kurti ku subjektiviteti i Kosovës është dobësuar ndjeshëm, mund të thuhet se Kosova ka shënuar regresin më të madh diplomatik që nga pavarësia e vendit”, theksoi Molliqaj.
Tutje, Molliqaj tha se kryeministri Albin Kurti, pas gjitha dështimeve, duhej të jepte dorëheqje qysh moti. Ai thekson se Kurti duhet të jep përgjegjeësi para qytetarëve, nësë nënshkruan Asociacionin.
“Për neve, Kurti do të duhej të dorëhiqej qysh dje. Pos dështimeve në arsim, shëndetësi e zhvillim ekonomik, Kurti, si asnjë kryeministër tjetër, i ka dhënë formën e përmbajtjen Asociacionit e cila tashmë mund ta themi pa asnjë dyshim që është autonomi substanciale për veriun e Kosovës. Për këtë gjë ai do të duhej të jepte përgjegjësi para qytetarëve të Kosovës”, vazhdoi tutje ai.
Pritet rikthimi i PSD-së, ajo ka refuzuar koalicionin me AAK-në e Nisma-n
Molliqaj në intervistën ekskluzive për Gazetën Enigma, tha se pezullimi nga garat zgjedhore të PSD-së nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), është një problem teknik i cili pritet të zgjedhjet në ditët në vijim.
“Sa i përket PSD dhe problemin teknik me KQZ-në, është çështje procedurale dhe brenda këtyre ditëve çdo gjë do të rregullohet. Ne e kemi shpallur kuvendin zgjedhor, pastaj do t’i kemi të zgjedhura të gjitha organet udhëheqëse të partisë dhe do të jemi gati në zgjedhjet e ardhshme”, tha Molliqaj në intervistë për Gazetën Enigma.
Duke folur rreth zgjedhjeve të ardhshme, dhe garimit të PSD-së, Molliqaj tregoi se si parti, kanë refuzuar koalicionin me AAK-në dhe NISMA-në, për arsye të politikave të brendshme.
“PSD ka refuzuar një ftesë për koalicion me AAK-në dhe NISMA-në për arsye ideologjike. Ne nuk jemi për koalicione strategjike që e kanë synim përfaqësimin më të lartë në kuvend, por synojmë një bashkim forcash që ka qëllim krijimin e një alternative karshi keqqeverisjes aktuale. Një bashkim forcash përreth një projekti të përbashkët që synon transformim rrënjësor të Kosovës për një vend me mirëqenie e barazi për qytetarët e saj është mëse i mirëseardhur dhe ky sigurisht është një prej synimeve tona” potencoi ai.
S’ka zgjedhje të parakohshme, vetëm spekulime
Tutje, Molliqaj nuk sheh zgjedhje të parakohshme në vend. Ai tha se ato janë vetëm spekulim i opozitës e cila nuk po ndërmerr asnjë hap për ti bërë ato të mundshme.
Për besimin tonë, zgjedhjet për Kuvend të Kosovës do të jenë zgjedhje të rregullta. Kjo qeveri, për veten, nuk gjen dot asnjë arsye pse të shkoj në zgjedhje, anipse ka dështuar në mënyrë spektakolare në të gjitha fushat e me të gjitha grupet shoqërore. Zgjedhjet e parakohshme kanë mbetur spekulim i opozitës parlamentare e cila nuk ndërmerrë asnjë hap që t’i shkaktoj ato zgjedhje”, shtoi Molliqaj.
“Polemikat për aderimin e Qëndron Kastratit, spekulime”
Duke folur rreth strukturës së brendshme të partisë në pushtet, “Vetëvendosje”, Molliqaj potencoi se brenda asaj partie, anëtarët kanë qëndrime kondratiktore karshi njëri-tjetrit, ku gjë e cila sipas tij, po vrehet edhe në Kuvend. Molliqaj tutje theksoi se do të ketë zhgënjim ndaj VV-së, si nga strukturat e brendshme, gjithashtu edhe nga votuesit e saj.
“Sllogani ynë “Recycle Bin” që ia kemi kushtuar Kurtit kishte këtë kuptim; një subjekt, i cili amortizon e mishëron kontraditat shoqërore përbrenda pa i diskutuar ato, e shndërron veten në çorbë ideologjike. Në Vetëvendosje i gjen qëndrimet më kontradiktore të mundshme që, në një subjekt normal, nuk do të mund të bashkëjetonin në asnjë formë. Kjo, sigurisht, tash po i shpërfaq pasojat e saja, e më konkretisht, e kemi parë qysh Kodi Civil nuk ka kaluar në Kuvend sepse kishte kundërshtime nga disa deputetë përbrenda grupit parlamentar të Vetëvendosjes. Nuk mund të them me emër se kush potencialisht del ose jo, por çka mund të themi është që zhgënjimi për Vetëvendosjen në pushtet do të vazhdoj të rritet si nga jashtë poashtu edhe nga brenda e kjo gjë do të shpërfaqet çdoherë e më shumë”, theksoi Molliqaj.
Molliqaj gjithashtu mohoi zërat se Qëndron Kastrati do ateroj nga PSD në një parti tjetër.
“Largimi i Qëndron Kastratit nga PSD është lajm i pavërtetë dhe na mbetet të shohim cilat janë tendencat që një thashtheme e tillë të shpërndahet në publik”, tha ai për Enigmën.
/Gazeta Enigma/