Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati nuk është në gjendje të mirë shëndetësore. Kështu të paktën ka njoftuar, avokati i tij Jonathan Rees, shkruan Gazeta Enigma.
Në seancën e sotme gjyqësore në Gjykatën Speciale avokati Rees tha se Gucati është me ilaçe për shkak të gjendjes jo të mirë fizike.
“Sikurse e shikoni z.Gucati nuk është i pranishëm. Në fillim të seancës sot me është vënë në vëmendje gjendja e tij. Ai nuk është në gjendje të mirë shëndetësore. Ka marrë ilaçe kundër dhimbjeve mbrëmë. Ka një takim me mjekun në orën 18:00 sot. U përpoq që të qëndronte në sallë gjatë vazhdimit të procedurës, por dhimbjet vazhdojnë. Nuk është në gjendje të mirë fizike për të qenë i pranishëm. Nuk ka një diagnozë mjekësore por besoj që do të kemi sonte dhe do t’i jap udhëzime se si do të vazhdojmë”, ka thënë ai.
Avokati tha se si pasojë e gjendjes së tij, Gucati ka vendosur që sot të mos jetë i pranishëm në seancën gjyqësore.
“Për shkak të gjendjes së tij, ai në mënyrë jo vullnetare heq të drejtën e vet për të qenë i pranishëm në seancën e sotme”, ka thënë Rees.
Në ndërkohë gjykatësi tha se do të mundësojnë që Gucati ta ndjek seancën nga lart.
“Nuk kemi probleme nëse ai nuk është i pranishëm në sallë, por thjeshtë duam që të ketë mundësin që që t’i ndjek procedurat nga lartë dhe do të bëjmë përgatitjet e nevojshme. Në këtë drejtim nuk e marrim këtë në asnjë mënyrë ndryshe sepse e dimë që ai i ndjek procedurat rregullisht”, ka thënë ai. /Gazeta Enigma.