Policia e Kosovës, të enjten ka sekuestruar gjithsej 70 aparate për prodhimin e kriptovalutave, shkruan Gazeta Enigma.
Siç njofton Policia të enjten mbrëma në orët e pasdites kanë realizuar një bastisje në një banesë në rrugën ‘Fan Noli’ në Mitrovicën e Jugut.
“Si rezultat i hetimeve është arritur të lokalizohet dhe identifikohet lokacioni, me ç’rast bastisja është realizuar në një banesë në rrugën ‘Fan Noli’ në Mitrovicën e Jugut. Gjatë bastisjes për veprimtari të kundërligjshme janë gjetur dhe sekuestruar 67 aparate të lidhura me pajisje elektrike dhe internet që dyshohen se përdoreshin për prodhimin e kriptovalutave”, thuhet në komunikatën e PK-së.
Për pajisjet e gjetura dhe veprimtarinë e kundërligjshme hetuesit policorë kanë identifikuar personin e dyshuar.
“Lidhur me veprimet e ndërmarra dhe pajisjet e sekuestruara është njoftuar prokuroi i çështjes i cili ka sugjeruar që për veprime të mëtejme hetimore lidhur me rastin dhe pajisjet e sekuestruara të merren autoritetet doganore”.
Përveç kësaj bastisjeje, Policia të enjten mbrëma ka sekuestruar edhe tri aparate të prodhimit të kriptovalutave në Podujevë.
Sipas njoftimit të policisë, u bë e ditur se janë njoftuar edhe zyrtarët përgjegjës të Doganës së Kosovës dhe në koordinim me ta, do të ndërmerren veprime të mëtejme.
“Me datë 06.01.2022 rreth orës 16:00, njësitet nga Stacioni Policor i Podujevës së bashku me Njësitin e Reagimit të Shpejtë, kanë mbështetur ekipe të KEDS në Fsh. Surkish ku janë gjetur dhe sekuestruar tre aparate për prodhimin e kriptovalutave”, bëri të ditur policia.
Ndryshe, kriza energjetike që ka përfshirë Kosovën, e ka shtyrë ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanollin, që të marrë vendim për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave në gjithë vendin.
Tashmë është “sekret publik” që pjesa e vendit ku prodhohen më së shumti këto para digjitale, është veriu i vendit, ku banorët s’e paguajnë vetë rrymën. Për ndalimin e prodhimit atje, Qeveria po paralajmëron edhe aksion.
Raportimet e viteve të fundit për dyshimet se energjia elektrike në veri po keqpërdoret për prodhimin e kriptovalutave, s’kanë marrë “feedback” nga institucionet e vendit, deri sivjet.
Në këtë pjesë të vendit, raportohet se janë vendosur mijëra pajisje që prodhojnë valuta digjitale, e që shpenzojnë shumë energji.
Qeveria i ka kthyer sytë ka Veriu tek tash, kur Kosova po përballet me krizë energjetike. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka vendosur që të ndalojë prodhimin e tyre.
“….javën e kaluar kam marrë vendimin për Masa të Emergjencës përmes të cilit ndalohet prodhimi i kriptovalutave në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Rizvanolli./Gazeta Enigma/