Ndërtimi i jashtëligjshëm që e shndërroi Gjilanin në qytet pa lumë

Ndërtimi i jashtëligjshëm që e shndërroi Gjilanin në qytet pa lumë

Resmije Sadiku

“Nëse lumenjtë mbulohen, herët ose vonë, ato hakmerren…”, thotë shprehja e njohur e hidroinixhinierëve. Por a do të përballet edhe qyteti i Gjilanit me një gjë të tillë, mbetet për tu parë.

Në një projekt të nisur në vitin 2004, i cili ndryshe nga projekti fillestar, përfundoi me një plan që kishte për qëllim që lumi i vetëm i Gjilanit, ai i Mirushës, të betonohej, që mbi të të kalonin qytetarët në një shesh të improvizuar.

E sot, gati 20 vite pas ky shesh ende s’ka përfunduar. Ndonëse është bërë i kalueshëm për qytetarët një pjesë e sheshit ende qëndron ‘zbathur’, pa shtruar me kocka.

Hulumtimi i Gazetës “Enigma” zbulon se i gjithë ky projekt që buxhetit të komunës i kushtoi rreth 8 milion euro, është bërë pa pasur leje ndërtimi.

Ish-kryetari i Komunës së Gjilanit nga radhët e PDK-së, Qemajl Mustafa në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka dhënë detaje për ecurinë dhe procedurat që ka kaluar ky projekt ndër vite.

Qemajl Mustafa ish-kryetar i Komunës së Gjilanit nga Partia Demokratike e Kosovës

Mustafa ka deklaruar se ky projekt është realizuar me shpallje të tenderit në vitin 2004-2005, pak para se ai të vinte në pushtet.

“Ky projekt është përzgjedhur në rrugë konkurruese ( që do të thotë me shpallje të hapur të interesit publik) në vitin 2004/2005 që do të thotë para ardhjes time dhe të PDK në qeverisje të komunës. Autor i projektit është shtëpia projektuese “Urban plus” në Prishtinë. Kjo do të thotë që projektuesi, gjatë hartimit të projektit ka komunikuar me të gjithë sektorët relevant në komunë sepse ndryshe nuk ka mundur me e harmonizua projektin me rrethanat ekzistuese në terren”, tha ai. 

Ai thotë se ndonëse pa leje ndërtimi nuk është punuar në kundërshtim me normat e urbanizimit. “Nëse nuk është lëshuar një leje formale (e që, ligjërisht, është obligative) kjo nuk do të thotë që është punuar në kundërshtim me normat e urbanizmit dhe të shërbimeve publike në trasën nëpër të cilën është implementuar projekti. Drejtorati i i urbanizmit dhe planifikimit në komunë duhet ta jep përgjigjen se a është lëshuar një leje formale ose jo. Nëse jo, pse ka mund me ndodhë një gjë e tillë”, ka pyetur Mustafa.

Hartimi i këtij projekti sipas tij,  komunës në atë kohë i ka kushtuar rreth 100 mijë euro. Ndërsa realizimi bashkë me shpronësimet e tokave është paraparë diku rreth 8 milionë euro.

“Unë konsideroj që projekti i ka kaluar të gjitha fazat deri në detalizimin e tij dhe deri në marrjen e vendimit për përzgjedhjen e tij”, tha Mustafa për “Enigmën. 

Tutje ai ka theksuar se me realizimin e këtij projekti shtrati i Lumit “Mirusha” nuk është eliminuar.

“Me projektin e përzgjedhur, nuk është eliminua shtrati i lumit (i ujërave atmosferike) përkundrazi, projekti e ka lënë shtratin e hapur përgjatë gjithë qytetit sepse projekti ka paraparë, përveç ujërave atmosferike nga bora e shiu, aty duhet të rrjedhë edhe një sasi e ujit nga penda e Livoçit dhe nga ndonjë burim tjetër alternativ”, tha ai. 

Sipas Mustafës Komuna e Gjilanit shtratin e Lumit “Mirusha” e ka mbuluar me vendim të Kuvendit komunal, gjë e cila është plotësisht e gabuar sipas tij sepse Kuvendi komunal nuk e ka këtë kompetencë.

“Me ligjet e ndërtimit, projekti mund të ndryshojë në ndonjë pjesë të tij por kjo mund të bëhet vetëm nga autori i tij dhe me arsyeshmëri bindëse e të argumentuar mirë. Komuna, shtratin e lumit e ka mbuluar me vendim të kuvendit të komunës e që është plotësisht e gabueshme sepse kuvendi nuk e ka këtë kompetencë. Kjo është detyrë e ekzekutivit (e zyrës së projekteve, e drejtorive dhe e prokurimit). Përndryshe, auditori i përgjithshëm krejt këto parregullsi i ka thënë shumë qartë në raportin vjetor për komunën e Gjilanit për vitet 2017 dhe 2018 dhe këto raporte janë publike. Ky auditor ka gjetur edhe tejkalime të skajshme financiare e sasiore në këtë projekt”.

Tutje ai shton se mbulimi i lumit s’ka të bëjë me ujërat e zeza dhe me kundërmimet sepse, siç thotë ai ato janë të vendosura në dy tubacionet anash shtratit të lumit (secili tubacion i merr ujerat e zeza të familjeve dhe bizneseve të njërës anë të lumit).

“Në mes është shtrati i lumit dhe anash kanë qenë trotuaret me ndriçim publik… tashmë shtrati është mbulua dhe krejt kjo hapësirë është lënë në dispozicion për bizneset dhe për qarkullim të qytetarëve”.

Tutje ai shton se me mbulimin e shtratit Gjilani e ka humbur mundësinë që të ketë një rrjedhë të ujit i cili e freskon dhe e filtron ajrin e zonës kah rrjedh uji (e veçanërisht ditëve me vapë gjatë verës) dhe e ka rrezikuar seriozisht veten e tij me vërshimet potenciale që mund të ndodhin nëse shtrati i lumit ngushtohet me kalimin e viteve.

“Aq më shumë kjo është e mundur sepse nuk është lënë mundësia e pastrimit të këtij shtrati sipas normave teknike të domosdoshme. Gjilani e ka një përvojë të keqe me vërshimet nga dekadat e kaluara sepse ato kanë ndodhur”, ka përfunduar Mustafa.

ZKA: Vonesa ka pasur edhe në kontrata

Zyra Kombëtare e Auditimit në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka dhënë detaje për raportin e auditimit të Komunës së Gjilanit për vitin 2017.

“Tek kontrata për “Rregullimin e shtratit të lumit Mirusha faza 2” në vlerën 3,133,170€ nënshkruar në vitin 2012, ditët e kontraktuara të punimeve ishin 196, ndërsa të ekzekutuara ishin 705 ditë pune, ndërkohë që punimet ende nuk kishin përfunduar. Sipas raportit të mbikëqyrësit të kontratës, shkak i vonesave ndër të tjera ishin edhe mos angazhimi i mjaftueshëm i fuqisë punëtore nga ana e punëkryesit, si dhe mungesa e kapaciteteve të makinerisë”.

“Vonesa janë hasur edhe në kontratat si: Rregullimi i kanalizimit fekal dhe atmosferik në rrugën e Gjinollëve në vlerë 79,779€, Rregullimi i kanalizimit në Perlepnice në vlerë 89,784€, Ndërtimi i çerdhes, në lagjen Dardania 1 në vlerë 374,555€, Rregullimi i kanalizimit në fshatin Bresalc në vlerë 215,835€, ku në secilën prej tyre ishte tejkaluar dukshëm plani dinamik, ndërsa në një rast kishte skaduar siguria e ekzekutimit dhe e njëjta nuk ishte ripërtërirë, ndonëse punimet kishin zgjatur më tej. Megjithëkëtë autoriteti kontraktues nuk kishte ndërmarrë ndonjë masë sipas kushteve në kontratë”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Sipas tyre këto punime ishin realizuar duke mos përfillur kërkesat e ligjit të ndërtimit, për pajisje me leje ndërtimore, leje të përdorimit si dhe mbikëqyrje inspektive.

Ndërsa sa i përket procesit të auditimit për Pasqyrat Financiare të Komunës së Gjilanit për vitin 2022, ZKA thotë se projekti për Lumin Mirusha nuk ka qenë mostër e auditimit.

Edhe 19 vite pas – sheshi i papërfunduar

Betonimi i Lumit “Mirusha”, ose rregullimi i sheshit në qytetin e Gjilanit ka nisur në kohën kur Lutfi Haziri nga Lidhja Demokratike e Kosovës ishte udhëheqës në këtë komunë, shkruan Gazeta “Enigma”.

Pas Hazirit në krye të Komunës së Gjilanit ishte Xhemajl Hyseni nga Lidhja Demokratike e Kosovës, pastaj në qeverisje erdhi Qemajl Mustafa nga Partia Demokratike e Kosovës, pas tij ishte Lutfi Haziri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e tani Alban Hyseni nga Lëvizja Vetëvendosje. Kryetarët e komunës u ndërruan bashkë me partitë e tyre por sheshi mbetet ende pa u përfunduar.

Gazeta “Enigma” në lidhje me këtë çështje ka kontaktuar me disa zyrtarë komunal që aktualisht janë duke ushtruar detyrën e tyre pranë kësaj komune por nuk ka marrë përgjigje konkrete në lidhje me vendimin, procedurat dhe ecurinë e punës.

Në të gjitha këto pyetje Ali Arifi drejtor i Urbanizmit në komunën e Gjilanit ka vetëm një përgjigje, se ky projekt nuk ka leje ndërtimi.

“Lidhur me çështjen për të cilat i keni shtruar pyetjet, me procedurat e aplikuara në projektin e Lumit “Mirusha”, meqenëse projekti nuk ka leje ndërtimi në DUPMM, nuk posedojmë kurrfarë dokumentacioni”, tha shkurt Arifi për “Enigmën”.

Dallaveret në implementimin e projektit

Arkitektja, Bahrije Mahmuti e cila ishte edhe drejtoreshë e Urbanizmit në Gjilan, për Gazetën “Enigma” deklaroi se ajo ishte gjithherë kundër mbulimit të lumit.

“Unë kam qenë kundër mbulimit të Lumit “Mirusha” . Projekti ka qenë i hartuar që me qenë i hapur jo i mbuluar, mirëpo kanë bërë ndryshime në realizimin e këtij projekti. Realizimet janë bërë, por a janë legjitimu a jo nuk kam informacion”, ka theksuar ajo.

Ajo thotë se projekti final është në kundërshtim me idenë fillestare. “Nuk e di pse është bërë mbulimi i lumit në kundërshtim me projektin fillestar i cili ka qenë i miratuar në Kuvend”, ka shtuar ajo.

“Në atë kohë është bërë edhe dëgjimi publik ku një kompani nga Prishtina e ka fituar tenderin, por projekti fillestar ka qenë që mos me u mbulu Lumi “Mirusha”. Kompania e kontraktuar e ka hartuar mandej projektim dhe të gjitha fazat i ka kaluar ashtu siç është kërkuar me ligj, por në fazën e implementimit fazë pas faze ka pësuar ndryshime”, potencoi Mahmuti.

Impianti i nevojshëm për trajtimin e ujërave të zeza

“Kosova ka ligje që e rregullojnë shumë mirë këtë problematikë, Kosova ka probleme të mëdha me menaxhimin e ujërave dhe vetëm tani ka një iniciativë serioze për tu marrë me këtë problematikë”, thotë aktivisti i ambientit nga organizata joqeveritare ‘Gjethi’, Valon Raka, duke përmendur kështu ndëetimin e impiantit për ujërat e zeza.

Aktivisti i ambientit nga organizata joqeveritare ‘Gjethi’, Valon Raka

Tutje e cilëson mbulimin e Lumit “Mirusha” të Gjilanit, si projekt të dështuar.

Ai shton se “Gjilani e ka humbur mundësinë për të pasur një lum në mes të qytetit që qytetarët të shijojnë bukurinë që e ka nga natyra. Banorët e vjetër janë nostalgjik, kurse të rinjtë mund vetëm të shikojnë fotografitë nga e kaluara. Qyteti pa lum nuk është qytet i mirëfilltë. Qytetarët ku ka lumenj e dinë këtë më së miri”, tha Raka

“Ndoshta për momentin nuk ka pasur mundësi tjetër por edhe ky investim po del që të jetë i dështuar për disa arsye, së pari sheshi është i ndarë në dy pjesë dhe qytetarët ndihen konfuz kur të kalojnë nga njëra pjesë e sheshit në pjesën tjetër. Edhe pse një investim i kushtueshëm nuk e ka eliminuar tërësisht aromën e keqe në qytet”, deklaroi ai. 

Në situatën e krijuar, ai beson se e vetmja zgjidhje është ndërtimi i impiantit për trajtimin e ujërave të zeza”.  “Mundësia e kthimit ekziston, pasi të përfundojë ndërtimi i impiantit të ujërave të zeza në Kosovë. Gjilanit duhet të shqyrtojë mundësinë e kthimit të kësaj përroske – lumi të vogël në gjendjen e mëparshme në një atraksion për qytetarin gjilanas. Rast suksesi deri diku është mënyra se si Lumi “Lana” në Tiranë është kthyer në një gjendje më të pranueshme”, theksoi ai.

Ndërkohë kujtojmë se më 28 maj të viti 2019 Lutfi Haziri asokohe kryetar komune në Gjilan bashkë me drejtorin e Bankës Evropiane për Zhvillim në Prishtinë, Neil Taylor dhe drejtorin e kompanisë së ujësjellësit “Hidromorava”, Muhamet Suliqi, kanë nënshkruar marrëveshjen për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në vlerë prej 26 milionë euro.

/GAZETA ENIGMA/

Related Articles