Roli i NATO-s në Kosovë dhe bashkëpunimi me institucionet për sigurinë në vend u diskutuan në takimin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, raporton Gazeta Enigma.
Stoltenberg vlerësoi angazhimin institucional për të garantuar sigurinë në vend dhe shprehu përkushtimin e vazhdueshëm të misionit të NATO-s për mjedis të qetë dhe të sigurt në Kosovë.
Kurti shprehu mirënjohjen e popullit dhe Qeverisë së Kosovës për kontributin e çmuar të NATO-s në Kosovë dhe rëndësinë e KFOR-it për siguri dhe stabilitet në rajon. Ai ritheksoi përkushtimin e Kosovës për integrim në aleancën më të madhe të paqes e sigurisë në botë, NATO.
Në takimin që u zhvillua në kuadër të vizitës një ditore në Kosovë të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ishin të pranishëm edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, komandanti i KFOR-it, Franco Frederici dhe bashkëpunëtorë të tjerë,thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit./Gazeta Enigma/