Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë, nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi për huazimin e kamerave regjistruese nga KQZ-ja e Shqipërisë për zgjedhjet lokale në vend.
Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në Tiranë dhe në emër të dy institucioneve nënshkruan kryetari i KQZ-së së Kosovës, Kreshnik Radoniqi dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve i Shqipërisë, Ilirjan Celibashi.
Përmes kësaj marrëveshje bashkëpunimi bëhet e mundur huazimi i 50 kamerave regjistruese nga KQZ-ja e Shqipërisë, të cilat do të përdoren gjatë proceseve të ndryshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, përfshirë numërimin e votave me kusht dhe atyre me postë si dhe gjatë rinumërimit eventual të vendvotimeve.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi u shpreh se përdorimi i këtyre kamerave regjistruese në QNR do të ndihmonte KQZ-në në rritjen e besueshmërisë së qytetarëve dhe kandidatëve në aktivitetet që zhvillohen në këtë qendër.
Ai kujtoi se në QNR zhvillohen disa procese të rëndësishme pas ditës së zgjedhjeve, siç janë numërimi i votave me kusht, votave me postë dhe rinumërimi i vendvotimeve, prandaj monitorimi më i madh i këtyre aktiviteteve do të ndihmonte KQZ-në për ruajtjen e integritetit të zgjedhjeve.
Ndërkaq, në fjalën e tij, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi tha se Republika e Shqipërisë, në zgjedhjet e fundit parlamentare që u mbajtën më 25 prill, ka përdorur kamerat në të gjitha qendrat e votimit dhe kjo ishte një garanci e shtuar për procesin zgjedhor.
Drejtuesit e dy institucioneve u dakorduan për vazhdim të bashkëpunimit në të ardhmen, të cilat kanë për qëllim rritjen e përformancën se administratës zgjedhore dhe standardeve zgjedhore.