Nëse shtrenjtohet rryma, opozita paralajmëron protesta për rrëzimin e Qeverisë

Nëse shtrenjtohet rryma, opozita paralajmëron protesta për rrëzimin e Qeverisë

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) në Kosovë, të hënën do të marrë një vendim, pro ose kundër për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike për të gjithë konsumatorët në territorin e vendit, shkruan Gazeta “Enigma”.

Si shkak i pakënaqësisë lidhur me këtë propozim të ZRrE-së, qytetarët gjatë javës që po lamë pas protestuan dy herë.

Një grup qytetarësh në Prishtinë, të mërkurën e 26 janarit marshuan drejt objektit të Qeverisë, në shenjë revolte dhe kundër vendimit të marrë për mos ngritje të çmimit në katër Komunat e veriut. Në këtë protestë, sipas Policisë së Kosovës morën pjesë vetëm 300 qytetarë.

Por, tri ditë më pas, kjo shifër ndryshoi. Të shtunën e 29 janarit, rrugët e kryeqytetit ‘u mveshën’ me ngjyra e pankarta nga protestuesit. Protesta e organizuar nga Partia Socialdemokrate, arriti të mbledhë mbi tre mijë protestues.

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, lidhur me këtë çështje deklaron për ‘Enigmën’, se në rast të rritjes së çmimit të energjisë elektrike mund të ketë përsëri protestë, por kësaj herë për të kërkuar dorëheqjen e Qeverisë.

“Qeveria duhet të ketë parasysh që ka me pas protesta dhe me siguri që kanë me kërkua edhe dorëheqjen e Qeverisë për shkak të shtrenjtimit të rrymës”, thotë Haliti.

Tutje ai shton se “nëse hidrocentralet e shokëve të Albinit munden me i mbulu nevojat e Kosovës, normalisht ai (Kurti) mund ta ngritë çmimin e rrymës, por tani Kosova prodhon energji aq sa ka fuqi përmes termocentraleve dhe një pjesë të vogël nga hidrocentralet”.

Deputeti i PDK-së nënvizon se Kosova nuk është pronë e kryeministrit Kurti.

“Nuk është pronë e Kurtit as energjia elektrike, as Qeveria, e as Kosova. Kurti është vetëm shërbyesi i parë i interesave të qytetarëve në Kosovë dhe duke pas parasysh këtë unë them që ai mund të ketë dëshirë të mos e ngrit çmimin por gjithçka varet nga tregu për blerjen e energjisë elektrike edhe nga mundësia financiare e buxhetit të shtetit”, potencon ai.

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti

Haliti apelon që të bëhet një zgjidhje afatgjate për vendin që mos të ketë më probleme në të ardhmen.

“Duhet të gjendet zgjidhje afatgjatë, e jo sa për të thënë të marrë një mjeshtër apo teknik nga Gjermania që të bëj një servisim të një aparature e bënte shaka në parlament me bojlerat e filterat”, vlerëson ai.

Kurse, zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuçi në një përgjigje me shkrim për ‘Enigmën’, thotë se protesta e së shtunës ka dërguar një mesazh të qartë Qeverisë.

“Rritja e çmimit të rrymës është padrejtësi e shfrytëzim prandaj dhe nuk do të lejojmë që të ndodh. Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje ZRrE-së që propozimin për rritjen e çmimit ta anuloj”, thotë tutje ajo.

E nëse të hënën, ZRrE  miraton propozimin për rritjen e tarifës së faturës të energjisë elektrike, rezistenca do të rritet sipas Kuçit.

“Nëse rritja e çmimit nuk anulohet do të shtojmë intensivisht aktivitetet politike që të shfuqizojmë një vendim kaq të dëmshëm, qoftë me takime e tubime, aksione e protesta të radhës”, përfundon zëdhënësja e PSD-së.

Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi

Kujtojmë, se ZRrE më 17 janar ka publikuar raportin konsultativ të shqyrtimit të jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike. Palët e interesit kanë afat deri të hënën më 31 janar 2022 që t’i dërgojnë ato./Gazeta Enigma/

Related Articles