Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka vendosur për tarifat e reja, ku çmimi i energjisë elektrike do të rritet për qytetarët që shpenzojnë më shumë se 800 kWh në muaj.
Kjo s’është pritur mirë as nga skena politike, e as nga qytetarët e Kosovës. Sipas tyre kjo është e papërballueshme për ta, derisa njësojë mendojnë edhe analistët për çështje të ekonomisë.
Ekonomisti, Safet Gërxhaliu ka thënë për Gazetën “Enigma” se ky lajm ka futur frikë te qytetarët e Kosovës, por edhe te bizneset në veçanti.
“Ajo çfarë më brengosë më tepër është fakti se gjithmonë analizohet ngritja e çmimit të rrymës vetëm në dimensionin ekonomik, social dhe anashkalohet ndikimi emocional”, ka thënë Gërxhaliu.
Sipas tij, kjo rritje e çmimeve është shqetësuese edhe nga fakti që raporti i Bankës Qendrore tregon se në Kosovë dhe Shqipëri ka një rritje të varfërisë ekstreme.
“Ngritja e çmimit të energjisë do të ketë efekte negative”
Kështu thotë tutje Gërxhaliu, duke theksuar se do të ketë efekte negative edhe në aspektin ekonomik dhe në atë social.
“Në rend të parë qytetarët do ta kenë të vështirë ta përballojnë, në rend të dytë ekonomia dhe produktet do të jetë e pamundur të jenë konkuruese dhe e tëra kjo të sjellë te një tkurrje të punësimeve dhe eksporteve”, nënvizon ai, duke theksuar se është koha e një veprimi aktiv ku sipas tij qytetarët e Kosovës mos ta ndijnë vetën të izoluar dhe të distancuar, por ta shijojnë dorën e shtetit.
“Ngritja e çmimeve do të ndikojë edhe në import inflacioni dhe në një jetë edhe më të shtrenjt të qytetarëve dhe në këtë drejtim është dashtë të gjithë së bashku ta hartojnë një strategji si të minimizohen efektet negative të ngritjes së çmimeve”
Ndër të tjera, Gërxhaliu thotë se Kosova e ka humbur betejën me krizën energjetike në vitin 2006-2007, atëherë kur e kanë stopuar ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese falë mafisë së energjetikës dhe shoqërisë civile.
Sipas tij, ekspertët kanë paralajmëruar se Kosova do të ballafaqohet me këto sfida të rritjes së çmimit të produkteve strategjike, derisa shton se është thënë edhe më parë se pas pandemisë COVID, është paraqitur pandemia ekonomike.
Ndërsa, edhe analisti për çështje të ekonomisë, Mustafë Kadrijaj thotë për Gazetën “Enigma” se është për të ardhur keq se si qytetari më lehtë e pranon që të dëmtohet në xhep sesa të protestoi për një gjë elementare për jetën e tij.
“Si rezultat i presionit të dobët, mos me thënë fare ZrrE-ja mori vendime ashtu siç parashikoi duke kaluar krizën energjetike në portofolin e qytetarit, pra KEDS dhe Qeveria tani janë shumë komod”, tha Kadrijaj.
Ndër të tjera, ai shtoi se përderisa ka qytetarë të ndëgjueshëm, sipas tij nuk mund të presim reflektim nga ana e institucioneve dhe se ky avaz nuk do të ndalet.
“Se sa e rendon jetën e qytetarit pa dyshim se po, për faktin që jemi në kohe pandemie, kemi pagat më të ulta në rajon, poashtu mirqenie të ulët, papunësi e lartë dhe kjo do të jetë edhe një shtytje më shumë për t’u larguar qytetari nga vendi”, shtoi Kadrijaj.
Mirëpo, se a mund të marrin partitë politike masa ligjore ndaj këtij vendimi, analisti për çështjet e Drejtësisë, Ehat Miftaraj thotë për Gazetën “Enigma” se çdo vendim i një organi administrativ sigurisht se mund të jetë subjekt i ankesës qoftë në gjykatë.
Ndryshe, sipas vendimit të ZRRE-së energjia elektrike nuk do të shtrenjtohet për konsumatorët që i shpenzojnë deri në 800 kilovat orë, ndërsa ata konsumatorë që shpenzojnë mbi 800 kilovat do të paguajnë 12.5 cent për kilovat, apo një rritje prej 100%.
“Ky bllok të zhvendoset në 800 kilovat orë. Struktura tani e re tarifore deri në 800 i inkurajon konsumatorët që t’i shfrytëzojnë dy tarifat. U ofron konsumatorëve që të shfrytëzojnë energjinë në mënyrë eficence me 5,9 cent kwh. Për ata që konsumojnë mbi 800 është tarifa e lartë prej 12 cent dhe tarifa e ulët 6 cent. Njëkohësisht edhe në deri 800 tarifa e ulët prej 3 cent dhe tarifa e lartë prej 7 cent”, është thënë nga Departamenti i tarifave në ZRRE.
Sipas ZRRE-së, rreth 20% e tejkalojnë këtë bllok të konsumit tarifor. /Gazeta Enigma/.