Në Shkup të Maqedonisë së Veriut tashmë ka nisur Samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor në Procesin e Bërdo-Brionit.
Në këtë organizim, që po organizohet nga tri vende, Maqedonia e Veriut, Sllovenia dhe Kroacia. po merr pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Vendet pjesëmarrëse janë edhe: Shqipëria, Serbia, Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi.
“Në fokus të takimit të sivjetshëm të liderëve të vendeve pjesëmarrëse në Procesin Bërdo-Brioni në Shkup janë integrimi evropian, ndryshimet klimatike dhe emigracioni i të rinjve”, thuhet në komunikatën e Presidencës maqedonase.
Procesi i Bërdo-Brionit është një nismë sllovene-kroate, e ndërmarrë në vitin 2010 nga Borut Pahor, atëbotë kryeministër i Sllovenisë.
Qëllim i saj është forcimi i besimit të ndërsjellë në Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi më i shpejtë i këtij rajoni në BE.
Presidenti Pendarovski, të dielën, ka organizuar një darkë për presidentët e shteteve pjesëmarrëse me përjashtim të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili pjesëmarrjen e ka paralajmëruar për të hënën, ditën e mbajtjes së samitit.
Udhëheqësit e shteteve të procesit Bërdo-Brioni takohen të paktën një herë në vit.
Në samitin e vitit të kaluar, që u mbajt në Bërdo të Sllovenisë, pjesë e konkluzioneve të miratuara ishte thirrja drejtuar Bashkimit Evropian që t’i ofrojë Kosovës liberalizimin e vizave, ndërsa Bosnje e Hercegovinës statusin e shtetit kandidat për anëtarësim në bllokun evropian.
Vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës hyn në fuqi më 1 janar të vitit 2024, ndërsa Bosnje-Hercegovina e ka marrë statusin e vendit kandidat në dhjetor të vitit të kaluar.