8 marsi Dita e Gruas në Kosovë këtë vit është pritur më ndryshe nga vitet e mëparshme, shkruan Gazeta ‘Enigma’.
Dita e gruas nisi me protestën e grupit organizativ “Marshojmë S’festojmë”, për të kundërshtuar dhunën e burrave ndaj grave.
Ky marsh i kësaj organizate u bë bë edhe në qytete të tjera përveç Prishtinës, si në Obiliq, Mitrovicë, Pejë, Rahovec, dhe Gjilan.
Qëllimi i këtij marshi është që të protestojmë kundër shtypjes së vajzave dhe kundër krimeve ndaj grave në Kosovë.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj, në një përgjigje për Gazetën ‘Enigma’ ka thënë se në Kosovë ligji i barazisë gjinore nuk respektohet sa duhet.
“Në një masë nuk gjejnë zbatim sepse sipas ligjeve që kemi, ligjin për barazi gjinore ku të përfshira në udhëheqje duhet të jenë 50 përqindë gra, ndërsa ju e dini që gati nëpër të gjitha institucionet dhe në Parlamentin në Kosovë përqindja e Kosovës është 30 përqind”, ka thënë Kadriaj.
Kadriaj: Ne i kemi ligjet e mira, por a po gjejnë zbatim këto ligje?
“Ne mirë që e kemi edhe kuotën gjinore që është në njëfarë forme është obligim sepse ndoshta nuk do të kishim arrit as këtë koutën e 30 përqindëshit në Parlamentin e Kosovës”, ka deklaruar ajo.
Kadriaj tutje ka theksuar se “prej vitit në vit ne po shohim se gratë në shumicën e rasteve po bëhen pjesë e Parlamentit të Kosovës pa kuotën gjinore”.
Deputetja Kadriaj ka thënë se kemi rregullore të mira, por që kjo nuk është e gjitha sepse kemi ende për të diskutuar.
“Është bërë mjaft tani kemi një legjislaturë të mirë, kemi rregulloret e mira, por a është ajo më e mira kemi ende për të diskutuar dhe duhet të punojmë” ka thënë ajo.
Kadriaj bënë thirrje për të gjitha gratë që të angazhohen maksimalisht për mbrojtjen e të drejtave të tyre.
“Unë e kom një apel për të gjitha gratë që ato duhet të angazhohen maksimalisht, që të mbrojnë edhe të drejtat e tyre, të drejtat pronësore, ti adresojnë shqetësimet e tyre në institucionet përkatëse dhe duhet të punojmë bashkarisht që të arrijmë në fund që të respektohen të gjitha ligjet”, ka përfunduar ajo.
Drejtoresha ekzekutive e OJQ Gruaja Hyjnore, Igballe Hajdari, në një përgjigje për Gazetën ‘Enigma’ ka thënë se ligji i barazisë gjinore ka filluar të respektohet në krahasim me vitet e kaluara.
“Ligji i barazisë gjinore ka filluar të respektohet në krahasim me të kaluarën, mirëpo ende ka nevojë për punë, barazi dhe drejtësi”, ka deklaruar Hajdari.
Tutje ajo ka shtuar se “në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, OJQ Gruaja Hyjnore së bashku me Zyrën për Barazi Gjinore të komunës së Gjilanit, organizuam protestë paqësore për drejtësi dhe barazi gjinore”.
Gjatë kësaj proteste ka pasur edhe aktivitete për nder të 48 grave të vrara.
“Gjithashtu gjatë kësaj proteste, u realizua edhe aktiviteti “Këpucë të kuqe” në nderim të 48 viktimave gra të vrara. Pas këtij aktiviteti, OJQ Gruaja Hyjnore ka realizuar aktivitetin ekspozite me fotografi “Roli i gruas në shoqëri” aktivitet ky i cili për qëllim ka të shpalos rrugëtimin e gruas gjilanase ndër vite”, ka thënë Hajadari.
Ekspozita mbetet e hapur për 2 javë, në Galerinë e Qytetit të Gjilanit.
Edhe Presidentja, Vjosa Osmani, ka uruar të gjitha vajzat dhe gratë për festën e 8 marsit, duke rikujtuar sukseset e grave kosovare ndër vite.
Ajo ka uruar që vajzat dhe gratë të kenë një ambient ku ndihen të sigurta.
“Uroj që në këto 365 ditët në vijim fjalët ‘grua’ dhe ‘vajzë’ të vazhdojnë të jenë sinonim i triumfit, suksesit, ngadhënjimit dhe inspirimit ashtu siç ishin shumë vajza dhe gra në vitin që po e lëmë pas. Uroj që përgjatë vitit në vijim fuqizimi ekonomik i vajzave dhe grave të shërbejë si bosht rreth të cilit konceptohet dhe ideohet programit dhe politikat e zhvillimit ekonomik”, ka deklaruar ajo.
Tutje Osmani ka thënë se “uroj që në ditët dhe në muajt në vijim vajzat dhe gratë tonë do të gëzojnë respektin e merituar, trajtimin dinjitoz dhe mbështetje të pakursyer. Uroj që në vitin që pason vajzat dhe gratë tona të ndihen të sigurta në shtëpi, rrugë, lagje dhe çdo hapësirë publike”, ka thënë ajo.
Ndërsa Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se barazia gjinore është themeli i barazisë shoqërore.
“Në fokus e kemi ngritjen e ndërgjegjësimit të prindërve, e sidomos sa i përket rolit të baballarëve në rritjen mirëqenien edhe edukimin e fëmijëve. Gjithashtu në këtë qasje të barabartë po punojnë që fëmijët e vegjël të rriten dhe të socializohen në vlera që promovojnë pranimin, gjithëpërfshirjen, e sidomos barazinë gjinore. Edhe në rilindjen tonë kombëtare kemi vepra me kryepersonazhe gra”, ka thënë Kurti.
Kujtojmë se Dita Ndërkombëtare e Gruas u ngrit nga lëvizja e punës dhe u bë një ngjarje vjetore e njohur nga Kombet e Bashkuara
Në vitin 1908, 15,000 gra marshuan nëpër Nju Jork duke kërkuar orar më të shkurtër pune, paga më të mira dhe të drejtën e votës.
Një vit më vonë, Partia Socialiste e Amerikës shpalli Ditën e parë Kombëtare të Gruas./Gazeta Enigma/