Një vit nga agresioni rus në Ukrainë – Si u ndikua Kosova?

Një vit nga agresioni rus në Ukrainë – Si u ndikua Kosova?

Sot bëhen saktësisht një vit nga fillimi i luftës në Ukrainë. Në orët e para të mëngjesit të 24 shkurtit të vitit 2022, Rusia filloi sulmet në territorin e Ukrainës. Atëherë, pak kush e kishte menduar se kjo luftë do të ndikonte kaq shumë në Kosovë. Tash, për çdo rritje çmimi, arsyetimi është kjo luftë.

Viti 2022 do të mbahet mend për fillimin e një lufte të re në Evropë. Lufta që ka nisur në Ukrainë më 24 shkurt të vitit të kaluar, po vazhdon ende. Rusia s’po tërhiqet, e Ukraina po vazhdon rezistencën.

Nga kjo luftë, pasojat janë ndier pothuajse në gjithë botën. Inflacioni në shumë shtete arriti në nivele rekorde. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, norma mesatare vjetore e inflacionit në Kosovë për vitin 2022 ishte 11.6%.

Shtrenjtimet filluan me drithërat e karburantet

Duke qenë se Rusia dhe Ukraina janë eksportueset më të mëdha të drithërave, menjëherë pas fillimit të luftës filluan të ngriteshin çmimet. Bashkë me rritjen e çmimeve, po rritej edhe paniku i qytetarëve se do të mbesin pa bukë.

Nga frika se do të mbeteshin pa miell, disa shtete filluan ta ndalnin eksportin e këtyre produkteve. Në mesin e këtyre shteteve ishte edhe Kosova.

Vendimin për ndalimin e përkohshëm të eksportit të këtyre produkteve ushqimore, Qeveria e Kosovës e kishte marrë më 13 prill.

“Invazioni rus dhe agresioni ushtarak në Ukrainë ka ndikuar në zinxhirin e furnizimit me produkte agro-ushqimore në Evropë”, kishte thënë kryeministri Albin Kurti, kur ishte marrë vendimi.

E ndonëse Kosova nuk ka nivel të lartë eksporti, për ta arsyetuar këtë vendim, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, thoshte se “eksporti i mallrave, sado i vogël të jetë, mund të rrezikojë furnizimin e popullatës në të ardhmen”.

Përveç drithërave, filloi të shtrenjtohej edhe nafta dhe produktet e saj. Çmimi për një litër naftë në Kosovë arriti në gati 2 euro.

Atëherë, Shteti vendosi që të merrte në dorë kontrollin e këtyre çmimeve.

Për çdo ditë, përgjatë një muaji, Ministria dilte me vendim ku përcaktonte çmimin maksimal për shitjen e derivateve.

Vazhdoi me vajin e vezët

Një tjetër produkt, çmimi i të cilit u rrit jashtëzakonisht shumë, ishte edhe vaji ushqimor. Marketet në vend e shfrytëzuan situatën dhe shtrenjtuan çmimet. Çmimi për një litër vaj arriti deri në 3 euro e 70 centë, prej rreth 1 euro e 50 centë sa shitej para luftës.

Disa krijuan edhe panik te qytetarët, duke larguar shishet e vajit nga raftat për ta paraqitur sikur ka mungesë, por në të njëjtën kohë depot i kishin plot.

Edhe çmimi i vezëve u rrit shumë. Një komplet(30 kokrra) pas fillimit të luftës shitej 4 euro e 40 centë nga rreth 3 euro e 50 centë sa mund ta bleje më herët.

Këto s’ishin të vetmet produkte që u shtrenjtuan. Çmimi i të gjitha produkteve shënoi rritje pasi Rusia filloi ta pushtojë Ukrainën.

Çmimi i energjisë në tregjet ndërkombëtare u rrit për 100 përqind

Sulmi i Rusisë në Ukrainë ndikoi dukshëm edhe në çmimet e energjisë elektrike.

Në bursat e rajonit, ky çmim u ngrit gati 100 përqind. Në bursën hungareze ku blen edhe Kosova, para fillimit të pushtimit, çmimi ishte rreth 250 euro për megavat për energji elektrike në kohën e pikut, ndërkaq pas 24 shkurtit çmimi shkoi në 500 euro për megavat.

“Këto lëvizje negative kanë korresponduar me përkeqësimin e motit te ne. Kjo ka bërë që kërkesa për konsum të energjisë elektrike në Kosovë të rritet dukshëm. Pasi që kërkesa e tejkalon prodhimin vendor, atëherë ne duhet detyrimisht ta importojmë sasinë e nevojshme nga jashtë. Çdo rritje e kërkesës në këto rrethana, pra secili megavat që i shtohet sistemit, duhet të sigurohet nga importi i energjisë elektrike, që me çmimet aktuale është shumë i pafavorshëm, edhe kur krahasohet me dy muajt e parë të këtij viti, kur u shënua një rënie e çmimeve”, njoftonte në atë kohë KEDS’i.

Rusia ka qenë furnizuesja më e madhe e Bashkimit Evropian me gaz natyror, duke mbuluar rreth 40 për qind të nevojave të bllokut më 2021.

Këtë fuqi e kishte përdorur Kremlini, pas nisjes së luftës në Ukrainë më 24 shkurt.

Përmes uljes së furnizimeve, Rusia kishte tentuar të përçajë unitetin e Perëndimit në mbështetjen që i ka ofruar Ukrainës, pas nisjes së luftës.

U shtrenjtuan edhe banesat e materialet ndërtimore

Nga lufta u prekën edhe çmimet e materialeve ndërtimore. Kjo ndikoi që të “fluturonin” çmimet e banesave e shtëpive.

Përderisa para 24 shkurtit, çmimi për metër katror sillej 850 euro në Prishtinë, pas kësaj date ky çmim shkoi në 1 mijë e 50 euro.

850 euro, si maksimum, tash çmimet me të cilat kanë dalë firmat me ofertë është rreth 1 mijë e 50 euro

Lufta po vazhdon

Tash kur po bëhet gati një vit nga fillimi i kësaj lufte, s’ka asnjë shenjë se fundi është afër.

Kremlini ka intensifikuar operacionet në mbarë pjesën jugore dhe lindore të Ukrainës dhe po synon që të nisë një ofensivë të madhe.

Në vlerësimin e saj të përditshëm më 15 shkurt, ushtria e Ukrainës tha se luftimet ishin gjithashtu të përqendruara rreth Lymanit, Avdjivkas dhe Kupjanskut.

Forcat ruse kanë kaluar muaj të tërë duke u përpjekur për të kapur Bakhmutin, i cili shtrihet pranë disa autostradave kryesore.

Kosova solidarizohet me Ukrainën

Qeveria e Kosovës është radhitur në anën e Ukrainës duke i vënë edhe sanksione, për cka është lavduar nga vendet perëndimore.

Ukraina nuk e njeh Kosovën, por që prej fillimit të luftës dy vendet janë afruar. Deputetë ukrainas kanë bërë thirrje që shteti i tyre ta njohë Kosovën.

Qeveria ka thënë se është e gatshme të pranojë deri në 5 mijë refugjatë ukrainas ndërkohë që në Kosovë janë strehuar 13 gazetarë ukrainas që nga fillimi i luftës, transmeton Express.

Gazetarët nga Ukraina janë strehuar në Kosovë në kuadër të programit “Journalists in Residence – Kosovo”, që është iniciuar nga European Centre for Press and Media Freedom ECPMF dhe financohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Liderët kosovarë vazhdimisht kanë dënuar agresionin rus ndërkohë që tërhequr se vëmendjen se Moska nëpërmjet Beogradit mund të nxis konflikt edhe në Kosovë.

Related Articles