Njohësit e ekonomisë: Falja e gjobave i ndihmon bizneset dhe nuk e dëmton buxhetin shtetëror

Njohësit e ekonomisë: Falja e gjobave i ndihmon bizneset dhe nuk e dëmton buxhetin shtetëror

Kërkesa për faljen e gjobave të bizneseve të prekura nga COVID-19, po shihet si hap i nevojshëm që duhet ndërmarrë nga Qeveria, me qëllim që të ndihmohet rimëkëmbja e sektorit të ekonomisë, shkruan Gazeta “Enigma”.

Njohës të çështjeve të ekonomisë e profesor të kësaj fushe vlerësojnë se për këtë hap, duhet vendosur kritere, si dhe të krijohet një strategji e mirëfilltë, që të mos keqpërdoret buxheti i shtetit.

Profesori i Ekonomisë, Safet Gërxhaliu në një prononcim për Gazetën “Enigma”, theksoi përkundër rrethanave të krijuara në sektorin e ekonomisë, duhet krijuar një modalitet që të funksionoj shteti por edhe ndihma për bizneset të mos mungojë.

“Duhet të analizohet çdo ndihmesë për bizneset në këtë kohë pandemie me të vetmin qëllim që të rritet numri i të punësuarve, të avancohet në investime teknologjike, të rritet konsumi dhe bizneset tona të jenë konkurruese. Vlerësoj se duhet të ketë kritere që duhet të përmbushen për idenë e faljes së borxheve, dhe duhet të ketë gjithpërfshirje dhe në këtë drejtim besoj se duhet ose të ketë falje, ose një prolongim të këtyre borxheve, sepse kuptohet që edhe Qeveria është në kohë të vështirë dhe buxheti është i rrezikuar”, ka thënë ai.

Shatri: Kërkesa për faljen e borxheve, legjitime dhe e nevojshme

Kurse njohësi i çështjeve të ekonomisë, Haki Shatri, ka deklaruar se çfarëdo ndihme nga shteti për sektorin e brishtë të ekonomisë është më se e mirëseardhur.

“Kërkesa me i fal këto dënime është e arsyeshme dhe legjitime, sepse kompanitë, bizneset janë duke ndjekur një situatë të pa parashikueshme, gjithçka ka qenë e parapritur, i kanë shkelur rregullat, por jo me vetëdije shpeshherë. Ata që janë dënuar për shkak të mos mbajtjes së maskave, e këtyre obligimeve të tjera që kanë qenë të parapara me rregullore, pra ka qenë diçka që njerëzit nuk ishin mësuar, dhe deri ishin adaptuar me të, ka qenë një inercion që i ka dërguar tek këto shkelje.”, tha ai, për Gazetën “Enigma”.

Një vendim i tillë sipas tij do ishte i arsyeshëm dhe nuk do ta dëmtonte buxhetin.

“Duhet një analizë e mirëfilltë se çka ka ndodh me ekonominë për gati 1 vit e gjysëm, prej kur është shfaqur pandemia në Kosovë. Duhet analizuar se cilët sektorë janë goditur më së shumti, në buxhetin aktual të Qeverisë”, ka shtuar ai.

Dënimet e bizneseve janë kompetencë e organeve të drejtësisë, jo e partive politike”

Në anën tjetër ndryshe vlerëson analisti, Blerim Burjani, i cili për Gazetën “Enigma”, ka thënë se falja e borxheve nuk mund të bëhet nga partitë në pushtet, por nga ana e sektorit të drejtësisë.

“Borxhet janë ndëshkim për mos respektim të masave dhe ligjit për luftimin e pandemisë, kjo çështje është e Policisë dhe organeve të drejtësisë por jo e partive politike. Ligji është hartuar dhe u hyrë në fuqi pikërisht për të mos shkel rregullat e pandemisë. Kjo është kërkesë e çuditshme, këto gjëra nuk falen asnjëherë, këto janë vepra të kundërligjshme”, tha ndër të tjera ai.

Ndërkohë Kuvendi i Kosovës me kërkesë të partisë opozitare, AAK-së, pritet që premten të mbajë interpelancë me ministrin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati për çështjen: “Falja e gjobave bizneseve të prekura nga situata me COVID-19”.

Deri më tash pro këtij procesi është deklaruar AAK-ja, derisa nga Vetëvendosje e kanë kundërshtuar këtë nismë.

Po ashtu, Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi në një konferencë për medie i kishte bërë thirrje Qeverisë për faljen e gjobave që janë shqiptuar gjatë kërkesave për zbatimin e masave dhe mundësinë për një amnisti fiskale për bizneset./Gazeta Enigma.



Related Articles