Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë numëruar 73.91 për qind të votave me postë për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit. Nga këto vota shumicën i ka marrë Lëvizja Vetëvendosje.
LVV-ja i ka marrë 72.39 për qind të votave, LDK-ja është e dyta me 10.57 për qind dhe PDK-ja e treta me 8.24 për qind.
Ndërsa te rezultatet e përmbledhura në faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku përfshihen të gjitha votat, Vetëvendosje kryeson me 50.50 për qind pas numërimit të afro 96 për qind të votave. PDK-ja është e dyta me 20.49 për qind dhe LDK-ja me 13.37 për qind.
Vetëvendosje ka vendosur rekord si për nga përqindja e votave ashtu edhe për nga numri i votave ku aktualisht i ka rreth 462 mijë. E edhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka vendosur rekord me mbi 380 mijë vota.
Bazuar në rezultatet e deritashme, Lëvizja Vetëvendosje parashihet të ketë në Kuvend 57 deputetë.
